Komuna e Skenderajt ka marrë vendim që t’i ndajë nga 50 euro për personat që e kanë kaluar COVID-19, si dhe 100 euro për familjet e personave që e kanë humbur betejën nga ky virus.
Një gjë e tillë është bërë me dije nga kryetari i kësaj Komune, Bekim Jashari, i cili tha se vendimi u mor pas seancës së fundit të Kuvendit Komunal për këtë vit.
Qytetarët e Skenderajt do të arrijnë të përfitojnë këto mjete financiare vetëm në rast se arrijnë të dëshmojnë rezultatin pozitiv të testit nga IKSHPK.
Njoftimi i plotë:
Në seancën e fundit të Kuvendit Komunal për këtë vit, të cilën e filluam me një minut nderim në përvjetorin e sulmit të parë mbi familjen Jashari dhe ditës së Veteranit, është miratuar propozim vendimi për t`u dalë në ndihmë të infektuarve si dhe familjeve të viktimave të virusit COVID-19 në Komunën e Skenderajt.
Në këtë mbledhje është votuar propozimi për subvencionimin e personave të infektuar me virusin Covid-19 në vlerë prej 50 euro, ndërsa qytetarët që kanë humbur betejën me këtë virus, familjarët e tyre do të subvencionohen me nga 100 euro.
Në bazë të këtij vendimi parashihet që personat përfitojnë nga kjo ndihmë vetëm në rast se arrijnë të sjellin dëshminë e testimit dhe rezultatit pozitiv nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHP).
Rreth procedurave të metutjeshme do të njoftoheni me kohë, nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.