Komuna e Pejës vërshohet nga paditë e mësimdhënësve

Me dhjetëra mësimdhënës, ditëve të fundit kanë ngritur padi në Gjykatën Themelore në Pejë ndaj Komunës së Pejës për mospagesën prej dy euro si kompensim për ushqim për ditët e punës.

Së fundmi, komunës i është dorëzuar nga gjykata kuverta me padi kolektive të 39 mësimdhënësve që kërkojnë pagesën e shujtës.

Avokati, Fisnik Mujaj, i cili përfaqëson paditësit në këtë padi kolektive, tregoi të hënën për KOHËN se ky është grupi i dytë, që ka ngritur padi ndaj komunës për borxhin që ua ka për shujta.

“I kemi pas edhe disa ma herët që kanë iniciuar procedurat. Nuk e di saktësisht sa është numri i tyre, por janë mjaftë. Tash edhe këta së fundmi. Për shujta janë krejt ato padi. Në listën e padisë ka edhe të tillë që nuk e kanë marrë për shujta as pjesën e parë vjet që është paguar”, tha Mujaj.

Edhe avokati i komunës, Fisnik Imami, ka konfirmuar për KOHËN se janë duke i pranuar paditë.

“Nuk kam informacion të plotë për numrin e padive të ngritura ndaj komunës, por deri tash janë me siguri mbi 50 padi që i kemi pranuar vetëm për shujta. Edhe pse Komuna pjesën e parë e ka paguar dhe u është premtuar mësimdhënësve që do t’u paguhet edhe pjesa tjetër. Nuk e di a është realizuar ende pagesa e pjesës tjetër”, tha Imami.

Vitin e kaluar Komuna e Pejës kishte nisur të ekzekutojë pagesën për shujta. Deri tash është paguar vetëm pjesa e parë dhe ka mbetur të paguhet pjesa e dytë.

Isuf Lajçi, kryetar i degës në Pejë i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, tregoi se këto padi që po ngritën tash, janë për shujtat për periudhën prill 2017 – mars 2020. Vjet, sipas Lajçit, Komuna ju ka thënë se do i paguajë këto mjete dhe disa mësimdhënës, siç thotë Lajçi, u binden dhe i tërhoqën paditë.

Por mësimdhënësit e pesë shkollave, gjimnazi “Bedri Pejani”, dy shkollat fillore “Dardania” dhe “Ramiz Sadiku” dhe dhe dy shkollat fillore në fshatrat Zahaq e Nabërgjan, nuk i kanë tërhequr paditë.

“Është paguar njëra pjesë, por jo edhe pjesa e dytë. E në mesin e tyre janë edhe mbi 70 mësimdhënës që nuk e kanë marr fare asnjërën pjesë për shujta. Janë mjaftë padi që janë ngritur dhe janë edhe të tjerët që do të ngritin padi”, tregoi Lajçi.

Kuvendi Komunal i Pejës, në gushtin e kaluar kishte miratuar propozimin e kryetarit të Komunës dhe Drejtorisë për Buxhet e Financa, për bartjen e mjeteve të lira buxhetore në shumë prej 1 milion e 399 mijë euro. Ky fondi rezervë i akumuluar ka qenë i dedikuar të shpërndahet në kategorinë e pagave në rast se do të kishte hyrë në fuqi Ligji për pagat, por pasi nuk hyr, këto mjete u kanë mbetur si të lira për komunat, të cilave me një vendim të qeverisë së kaluar, u është lejuar, që përveç në kodin e pagave, të mund të alokohen edhe në kategori tjera.

Nga shuma prej 1 milion e 399 mijë euro, rreth 700 mijë euro janë bartur në kodin për mallra dhe shërbime në Drejtorinë e Financave, për të bërë pagesën e shujtave dhe pagave të mbetura jubilare, që i obligon kontrata kolektive. Komuna vitin e kaluar ka ekzekutuar vetëm pjesën e parë të pagesës për shujta, derisa pjesa e dytë kishte mbetur të u paguhet sivjet. Shuma që ka mbetur të paguhet për shujta, sipas drejtorit të Financave, Jeton Abazaj, është rreth 900 mijë euro, në të cilat janë përfshirë sipas tij edhe pagesat për shujta prej shtatorit të vitit të kaluar deri në muajin prill 2021.

Tash pas padive që po ngrihen, me kamatë e ndëshkime kjo shumë pritet të kalojë mbi 1 milion euro.

“Kontrata kolektive e nënshkruar më 18 prill 2017, neni 46 paragrafi 2, decidivisht e cek që Ministria e Arsimit e ka për obligim të ndajë buxhet për implementimin e kësaj kontrate. Dhe ne si komunë kemi dashur të paguajmë për shujta në mënyrë që ta eliminojmë mundësinë e përballjes me gjykata dhe përmbarues. Unë në emër të Komunës së Pejës, iu kam drejtuar Ministrisë së Financave dhe e kam lutur që të shikojë mundësinë buxhetore që kjo kontratë të paguhet, sepse është rreziku me na dërgojnë në përmbarim. Dhe në e-mailin që ma kanë kthyer, thonë se Ministria e Arsimit nuk e ka konsultuar Ministrinë e Financave për ta nënshkruar atë marrëveshje, dhe si e tillë sipas Ministrisë së Financave, nuk është e buxhetuar”, tregon Abazaj.

Ai tregon se komuna ka pasur vullnet dhe mjete për ta shlyer edhe pagesën e dytë për shujta, por tash sipas tij, duhet të pritet se çka do të vendosë Ministria e Financave.