Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë dje vendim pro dekretit të Thaçit. Një verdikt i tillë ka shkaktuar zemërim të madh te zyrtarët e Vetëvendosjes, të cilët kanë paralajmëruar protesta dhe veprime të tjera të cilat do ta parandalojnë krijimin e qeverisë së re. Një ndër opsionet e VV-së është edhe Komisioni i Venedikut, aty ku VV-ja e kishte dërguar një herë këtë çështje, por që kishte marrë refuzimin për trajtim.
Vetëvendosja duket se do t’i shterë të gjitha mundësitë ligjore që ta parandalojë krijimin e qeverisë Hoti.
Ky subjekt politik mund t’i drejtohet këto ditë Komisionit të Venedikut në lidhje me dekretin e shpallur në përputhje me aktin më të lartë juridik në Kosovë nga Gjykata Kushtetuese.
Një veprim të tillë e paralajmëroi dje edhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, në një debat televiziv, menjëherë pas vendimit të Kushtetueses.
Lajmi.net është interesuar në lidhje me qëndrimin e Komisionit të Venedikut sa i përket një kërkese të tillë të dytë.
Komisioni i Venedikut është pyetur nëse ka ende ndonjë mundësi të mbetur që ky dekret të kthehet për interpretim të saj.
Zyra për media e këtij Komisioni, për Lajmi.net kanë lënë të kuptohet se Komisioni është i gatshëm dhe se në momentin që një kërkesë e tillë vjen, ai do ta japë përgjigjen e tyre, mirëpo pa specifikuar nëse do ta marrin nën shqyrtim.
“Komisioni i Venedikut do të marrë vendim kur dhe nëse një kërkesë e tillë na vjen”, thuhet në përgjigjen e Komisionit të Venedikut.
Në anën tjetër, kërkesa e parë e qeverisë në detyrë për Komisionin e Venedikut ishte cilësuar edhe si e pamatur për shkak se palët e përfshira në proces nuk mund të kërkojnë interpretim nga ky komision.
Sipas disa njohësve të çështjeve juridike, kërkesë për ndihmë dhe asistim nga Komisioni i Venedikut mund të kërkojë vetëm Gjykata Kushtetuese në rast të ndonjë çështjeje për të cilën ka dyshime.
Nga ana tjetër, aktivistë të Vetëvendosjes tashmë në rrjete sociale kanë paralajmëruar një protestë e cila do të mbahet më 5 qershor në Prishtinë, mirëpo nuk dihet ende nëse ka organizim zyrtar në lidhje me këtë.