Reprezentuesi i Kosovës, Benjamin Kololli, ka shënuar golin e vetëm për Zuerichin që barazoi 1:1 me St. Gallenin, të shtunën në kuadër të xhiros së 27-të të Superligës së Zvicrës. Kololli realizoi penallti në fundin e pjesës së parë për rezultatin 1:0 në të mirë të Zuerichut. Por St. Galleni barazoi shifrat në pjesën e dytë.
“Jam i zemëruar”, ka thënë Kololli pas ndeshjes. “Është dashur të fitojmë këtë ndeshje”, ka shtuar Kololli, që ka arritur në shifrën e pesë golave këtë edicion.
Në minutën e 67-të, St. Galleni mbeti me një lojtar më pak në fushë, por ia doli të shënoi golin e barazimit. Zuerichut iu përjashtua një lojtar në minutën e 81-të.
Betim Fazliji kompletoi ndeshjen te St. Galleni. Te Zuerichu startuan Fidan Aliti, Blerim Xhemaili, Benjamin Kololli e Hekuran Kryeziu. Në stol qëndruan Toni Domgjoni e Lindrit Kamberi.
Zuerichu është i gjashti me 34 pikë, ndërsa St. Galleni i shtati me 33 pikë.
Po të shtunën, Lorik Emini startoi te Luzerni që humbi 2:1 nga Lausanne.
Në kategorinë e dytë zvicerane, Donat Rudhani shënoi penallti për fitoren 1:0 të Aaraut ndaj Schaffhausenit. Penallti realizoi edhe Valon Fazliu, por skuadra e tij, Wil, humbi 3:1 nga Thuni.