Koha kur rektorja e UP-së e ndihmonte VV-në në fushatë me para (Foto)

Nga dita e djeshme, Universiteti i Prishtinës ka mbetur pa rektor. Kjo pasi dje në orët e pasdites, Naser Sahiti u shkarkua nga pozita me vendim të Këshillit Drejtues.

Ushtrimin e kësaj detyre do ta bëjë profesoresha e fakultetit Juridik në Prishtinë, Luljeta Plakolli – Kasumi, raporton Klankosova.tv.

Por, drejtuesja e përkohshme e Rektoratit figuron se, së paku, ka qenë edhe mbështetëse e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas të dhënave të publikuara në ueb-faqen e LVV-së, Klankosova.tv raporton se u.d. e rektorit të UP-së ka kontribuar me 50 euro.

Kjo shihet në pasqyrat financiare të publikuara nga vetë Lëvizja Vetëvendosje, ku ndihmën këtij subjekti politik ajo ia ka bërë më 9 shtator, 2019.

Madje, Luljeta Plakolli-Kasumi është edhe kushërirë me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, gjë të cilën ajo e ka konfirmuar edhe vetë, por ka thënë se kjo nuk ka ndonjë relevancë.

“Familjare nuk jemi, jemi kushërira shumë të largëta që nuk mund ta zhbëjë historinë familjare dhe absolutisht kjo nuk ka ndonjë relevancë se a jam unë familjare apo jo, qoftë e afërt apo e largët e presidentes. Kështu që kjo pyetje, mos u kapni në këtë kahje. Presidentja e ka profesionin e vet, jetën e vet, zhvillimin e karrierës së vet, unë e kam timen dhe absolut nuk na lidh kurrgjë tjetër përveç një lidhjeje gjaku e largët”, ka thënë ajo për “Dukagjinin”.