Barcelona e ka emëruar Ronald Koeman në postin e trajnerit të skuadrës së parë, pas arritjes së një marrëveshjeje dyvjeçare me trajnerin holandez të mërkurën.
Koeman, ish-lojtari i Barcelonës dhe trajner i deritanishëm i Kombëtares së Holandës, do ta zëvendësojë Quique Setien e shkarkuar në fillim të javës.
Koeman ka nënshkruar kontratë me kohëzgjatje deri më 30 qershor 2022.
Ai do të prezantohet si trajner i ri Barcelonës sot pasdite.
Barcelona e bëri zyrtar emërimin e tij në postin e trajnerit përmes një njoftimi në Twitter, ku i uroi mirëseardhje në klubin ku kaloi ditë të paharrueshme si futbollist.
Koeman e shkëputi kontratën me Kombëtaren e Holandës për t’u emëruar trajner i Barcelonës, e cila i ka nisur ndryshimet rrënjësore në klub pas turpërimit që ia shkaktoi Bayern Munich duke e mundur 8:2 në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Holandezi pritet të bëjë ndryshime të mëdha në skuadër, të cilën shpreson se do ta ndërtojë përreth kapitenit Lionel Messi.