Krimet e luftës nuk amnistohen dhe as nuk parashkruhen me asnjë marrëveshje dypalëshe, si sipas të së drejtës ndërkombëtare, ashtu edhe me ligjet e Republikës së Kosovës, e ka theksuar të mërkuren avokati Arianit Koci, lidhur me raportet se aministia mund të jetë pjesë e marrëveshjes Kosovë-Serbi.
“Sot, në media pohohet se po diskutohet mundësia për një amnisti të mundshme në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe se ekziston një nivel i gatishmërisë në mesin e negociatorëve edhe në Kosovë, edhe në Serbi që një gjë e tillë edhe të realizohet”, shkruan në Facebook Koci, duke pyetur se për çfarë aminstie po flitet, transmeton KOHA.
Koci e shpjegon se sipas të drejtës ndërkombëtare, “krimet e luftës – nuk parashkruhen (vjetërsohen) kurrë. Këtë gjë e rregullojnë e drejta ndërkombëtare humanitare dhe Konventat e Gjenevës mbi krimet e luftës”. E njëjta vlen edhe sipas ligjeve të Kosovës.
“Neni 104 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, që flet për mos-zbatueshmërinë e parashkrimit për veprat penale kundër të drejtës ndërkombëtare – në paragrafin 1, thotë: “Asnjë afat i parashkrimit nuk zbatohet për veprat penale të gjenocidit, krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit, ose për vepra tjera penale të cilat sipas të drejtës ndërkombëtare nuk parashkruhen’”, shkruan Koci.
Koci po ashtu bën të ditur se nëse bëhet fjalë për ndonjë dëmtim prone apo vepër të lehtë penale, “ato tashmë janë parashkruar dhe lidhur me to nuk ka nevojë të lidhet marrëveshje amnistimi”.
“Në fakt, shumica e veprave penale, përveç veprave të cekura më lartë, tashmë 21 vite pas luftës janë parashkruar – qoftë me parashkrim relativ apo atë absolut”, tregon ai.