Përfaqësuesit e partisë “Koalicioni për Familjen” zhvilluan sot një vizitë në qytetin e Klinës, ku hapën fushatën zgjedhore dhe prezantuan programin politik të subjektit.
Gjatë kësaj vizite, ata shpalosën angazhimet e tyre për një të ardhme më të mirë për familjen dhe shoqërinë, duke përfshirë përkushtimin e tyre për mbrojtjen e vlerave tradicionale dhe ndryshimet që do të sjellin nëse do të fitojnë mbështetje në zgjedhje.
Dy kandidatët për deputetë nga ky qytet, Besmira Racaj Ahmeti dhe Makfire Gashi, u prezantuan para qytetarëve si pjesë e këtij kualicioni që synon përmirësimin e kushteve të jetesës për të gjithë qytetarët, sidomos ata që i përkasin grupeve më të cenueshme.
Kryetari i Koalicionit për Familjen, Eman Rrhamani, në fjalimin e tij theksoi arritjen më të madhe të koalicionit, ndalimin e një ligji të dëmshëm për familjet dhe shoqërinë në Kuvendin e Kosovës.
Ai u shpreh se ky ligj, që ka për qëllim të lejojë ndryshimin e gjinisë, mund të krijonte një situatë të pasigurt për fëmijët dhe prindërit.
“Kemi arritur të ndalim këtë ligj, një ligj që mund të kishte pasur pasoja të mëdha. Imagjinoni sikur të keni dërguar fëmijën tuaj në shkollë si djalë dhe më pas të kthehet si vajzë, pa dijeninë tuaj,” tha Rrhamani, duke nënvizuar se ky ishte një nga sukseset më të mëdha të Koalicionit për Familjen.
Kjo ngjarje shënoi një moment të rëndësishëm për hapjen e fushatës zgjedhore dhe një ftesë për qytetarët e Klinës që të mbështesin këtë iniciativë të re për një shoqëri të fortë dhe të qëndrueshme.
j