Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, ka përkrahur nismën e kryeministrit Avdullah Hoti për konsultime me subjektet politike për të gjetur mënyrë për zgjedhje të presidentit të Kosovës, duke vlerësuar se nuk ka kushte për zgjedhje të reja.
KMDLNj ka kërkuar unitet të subjekteve politike dhe jopolitike kosovare për tejkalimin e situatës që është shumë e rëndë dhe vetëm pastaj të bisedohet për zgjedhje eventuale.
“KMDLNj mbështetur në situatën shumë të rëndë të shkaktuar nga COVID-19 vlerëson se pas konsultimit të subjekteve politike mund të caktohet një kandidat konsensual për President të Kosovës , pa pasur nevojë të shkaktohet krizë institucionale. Në këto rrethana nuk ka kushte as për rrëzim të Qeverisë e as për zgjedhje të parakohshme. Në rastin më të mirë, nëse ka marrëveshje të subjekteve politike për zgjedhje të parakohshme, ato nuk mund të mbahen para muajit qershor 2021”, thuhet në reagim, raporton KSP.
KMDLNj po ashtu ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë projektligjin për rimekëmbjen ekonomike, në mënyrë që të zbusin gjendjen tejet të rëndë të bizneseve në Kosovë.
KMDLNJ thotë se nëse ky projektligj nuk votohet pashmangshëm do të falimentojë shumicën e bizneseve, dhjetëramijëra vende të punës do të mbyllen e për pasojë do të varfërojë shumicën e qytetarëve të Kosovës.
“KMDLNj, ripërsërit kërkesën drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta votojnë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike në mënyrë që të zbusin gjendjen tejet të rëndë të bizneseve në Kosovë e që, nëse nuk votohet pashmangshëm do të falimentojë shumicën e bizneseve, dhjetëramijëra vende të punës do të mbyllen e për pasojë do të varfërojë shumicën e qytetarëve të Kosovës. Deputetët e Kuvendit të Kosovë, me mosvotimin e këtij ligji do të bartin përgjegjësi për qytetarët e Kosovës që po vuajnë nga varfëria dhe pasiguria shkaku i humbjeve të vendeve të punës. Deputetët e Kuvendit të Kosovës mund edhe të mos pajtohen me buxhetin e propozuar por duhet ta kenë të qartë se Buxheti i Kosovës, në rrethana aktuale nuk është Buxhet zhvillimor por i mbijetesës”, thuhet në reagim.