Klubet e Evropës po shohin drejt tregut amerikan të mbushur me talente

Gjatë muajve të fundit Andre Zanotta vazhdimisht ka pranuar thirrje nga klube në Francë, Belgjikë e Gjermani. Pak në tregun e transferimeve në futboll i shmanget vëmendjes së Sevillas, kështu që edhe ekipi spanjoll ishte në kontakt. Dhe pastaj ishin italianët.

Zanotta ka folur me çdo klub të madh në Serie A. Ai është mësuar me këtë lloj presioni. Një dekadë më parë ai ishte nënkryetar te Santosi, në vendlindjen e tij, Brazil, kur Neymari, që ishte adoleshent, po dilte në sipërfaqe. Disa vjet më vonë ai ishte në Gremio, kur Arthur Melo u shfaq si një nga lojtarët më të ndritshëm të Amerikës së Jugut. Si Neymari, ashtu edhe Melo u shitën përfundimisht te Barcelona. Kjo ka qenë prej kohësh mënyra sesi funksionon biznesi në Brazil, shtëpia e madhe e talenteve të futbollit. Klubet kryesore të Evropës qëndrojnë vazhdimisht në pritje, të gatshme të hidhen në sulm në momentin që një skaut, një agjent ose një kontakt i njofton ata për një lojtar premtues.

Ndryshimi kësaj here ishte se Zanotta nuk po i merrte ato thirrje në Sao Paulo ose Porto Alegre, por në Dallas. Të gjitha klubet që kontaktonin Zanottan – drejtori teknik te FC Dallas – po e bënin këtë për ta pyetur për mbrojtësin e krahut të djathtë, adoleshentin Bryan Reynolds. Në atë fazë Reynolds kishte luajtur vetëm disa ndeshje në MLS, por kjo kishte mjaftuar për të zgjuar kureshtjen e klubeve të Evropës.

“Klubet pëlqenin tej mase aftësitë e tij teknike dhe fizike”, zbulon Zanotta interesimin e klubeve të Evropës për Reynoldsin. “Ato e dinin shumë mirë se një lojtar i profilit të Reynoldsit mund të përshtatej në cilëndo top-ligë të Evropës”.

Prej të gjitha klubeve, dy bënë oferta serioze: Juventusi dhe Roma. I bindur nga trajneri i Romës, Paulo Fonseca, se ai mund t’i ofronte një rrugë më të shpejtë për të luajtur në ekipin e parë, Reynolds zgjodhi të transferohej në kryeqytetin italian. Roma përfundimisht pranoi të paguante 11 milionë dollarë dëmshpërblim për transferimin e Reynoldsit.

Ai nuk është i vetmi lojtar i ri amerikan që ka bërë atë udhëtim gjatë afatit kalimtar të dimrit të Evropës. Në muajin e kaluar Philadelphia Union e shiti mbrojtësin Mark McKenzie te Genku në Belgjikë dhe mesfushorin Brenden Aaronson në Red Bull Salzburgu i Austrisë. Joe Scally i New York Cityt përfundoi lëvizjen e tij të parashikuar prej kohësh te Borussia Moenchengladbachu, dhe dy lojtarë të tjerë, pak më të vjetër – Jordan Morris dhe Paul Arriola – u bashkuan me Swansea Cityn, në kategorinë e dytë të Anglisë. Ata mund të luajnë një ditë kundër sulmuesit të Orlando Cityt, Daryl Dike, pasi 20-vjeçari ditë më parë u huazua te Barnsley.

Rruga e futbollistëve amerikanë drejt Evropës është gjithnjë e më shumë e shkelur. Të gjithë bashkohen në një kontingjent amerikan në Evropë që tashmë përfshin Tyler Adamsin, Weston McKennien, Christian Pulishiqin, Josh Sargentin dhe Giovanni Reynan.

“MLS-ja dikur shiste shumë rrallë lojtarë në Evropë. Dhe kjo ndodhte falë ndonjë marrëdhënieje të trajnerëve apo vinte si rezultat i paraqitjes së mirë në Kupën e Botës”, pranon Dimitrios Efstathiou, nënkryetar në MLS për marrëdhëniet me lojtarë.

Mirëpo tani gjërat kanë ndryshuar dhe këtë e pranon edhe drejtori teknik i MLS-së, Fred Lipka.

“Në çdo afat kalimtar ne transferojmë katër, pesë apo gjashtë futbollistë drejt klubeve të Evropës. Dhe ky është një proces i mirë për shkak se MLS-ja po del si një kampionat që ka shumë talente”, tha ai.

Ky transformim është rezultat i asaj që Lipka e quan “proces apo një ndryshim i plotë në mënyrën e zhvillimit të lojtarëve” në kampionat gjatë 14 vjetëve të fundit.

Në vitin 2007, MLS-ja mori një vendim për të investuar më shumë në akademitë e saj. Jo vetëm në objektet që klubet mund të ofronin për zhvillimin e lojtarëve, por edhe në llojin e trajnimit që ata merrnin atje.

“Ne investuam në edukimin e trajnerëve, në drejtorët e akademive, në përpjekjen për të siguruar që të kishte më shumë shkëmbime me Evropën e Amerikën e Jugut dhe për të importuar praktikat më të mira”, tha Lipka. “Tani vëmendje i kushtohet trajnimit teknik dhe taktik, jo vetëm në zhvillimin atletik. Për të ndërtuar një aeroplan, duhet të kesh inxhinierë që dinë të ndërtojnë një aeroplan”.

Reynolds, Aaronson dhe të tjerët janë fryt i asaj pune që ndihmoi në zhvillimin dhe rritjen e talenteve.

“Ne kishin synim të zhvillonim lojtarë që do të arrinin nivelet më të larta të Evropës dhe ia dolëm”, krenohet Zanotta për punën e bërë te FC Dallas, ku mesfushori McKennie përsosi lojën e tij në Akademi derisa tani është njëri prej lojtarëve kyç në mesfushën e Juventusit.

Megjithatë, futbollisti i parë amerikan që hapi dyert për transferimin e të tjerëve në Evropë është mesfushori Pulishiq që tani është pjesë e Chelseat.

“Duhet pranuar se Christiani kur kaloi te Dortmundi bëri që klubet evropiane t’i hedhin sytë nga SHBA-ja për talente. Përveç tij e kemi edhe McKennien e shumë të tjerë që tani janë shndërruar në lojtarë të rëndësishëm në ekipet e tyre”, tha Jesse Marsch, trajneri amerikan i Salzburgut. “Shpërthimi i Christianit te Dortmundi dhe pastaj transferimi te Chelsea, inkurajoi ekipet e tjera që të hidheshin në kërkim të lojtarëve të rinj amerikanë”.

Afati kalimtar i verës pritet sërish të jetë i nxehtë për Zanottan, i cili do të ketë thirrje të shumta telefonike nga klubet e Evropës. Reggie Cannon që pritet ta zëvendësojë Reynoldsin te FC Dallasi, është njëri prej tinejxherëve që në verë mund të vazhdojë karrierën në futbollin evropian. Për Cannon tashmë ka nisur interesimi i klubeve evropiane. Ai nuk është i vetmi. Edhe Julian Araujo i Los Angeles Galaxy dhe portieri David Ochoa janë favoritë për t’u larguar nga SHBA-ja së bashku me Cannonin.

“Mendoj se më në fund puna që e kemi bërë tashmë një dekadë po shpërblehet dhe skuadrat nga Evropa përfundimisht i kanë hequr dyshimet që i kishin për lojtarët tanë. SHBA-ja tani është shndërruar në një treg shumë atraktiv dhe mund të them se ky është vetëm fillimi i rrugëtimit dhe i shpërthimit të lojtarëve amerikanë në Evropë”, u shpreh Zanotta. “Ne do të vazhdojmë të punojmë dhe qysh tani e di se na pret një verë shumë e nxehtë me thirrje që nuk do të ndalen kurrë”. /NYT/