Kjo është shuma që Naim Murseli dyshohet se ia dha dorasit për t’ia vrarë gruan

Mbrëmjen e së mërkurës, një vrasje në rrugën “Dalip Alshiqi” tronditi Prishtinën.

Raportimet fillestare pohuan se Liridona Murseli u vra nga disa grabitës, teksa po udhëtonte me makinë së bashku me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj.

Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se Policia ka arrestuar sot bashkëshortin e të ndjerës, Naim Murselin, ish-këshilltar i Behgjet Pacollit.

Burimet e njëjta kanë pohuar se Naimi ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në vrasjen e bashkëshortes së tij.

Indeksonline raporton se janë gjetur prova bindëse që dëshmojnë fajësinë e Naimit në këtë rast. Policia dyshohet se ka gjetur kamera që dëshmojnë se Naim Murseli, është takuar me autorin e vrasjes së Liridonës.

Autori i vrasjes, Granit Plava, është arrestuar po ashtu.

Ai ka pranuar fajësinë, duke thënë se vrasja është porositur nga vet Naim Murseli.

Burime të Indeksonline pohojnë se Naim Murseli i kishte premtuar Granit Plavës 30 mijë euro për t’ia vrarë gruan. Një pjesë e shumës i ishte dhënë Granitit, ndërsa ai dhe Naimi ishin pajtuar që pjesa tjetër e borgjit të paguhej më vonë.

Naim Murseli dhe Granit Plava janë arrestuar në fshatin Rakovinë të Gjakovës.

Granit Plava dyshohet të jetë nga fshati Cerrmjan, nga ku vinte edhe viktima, Liridona Murseli.

Ndërkohë, Policia ka bërë të ditur se hetime intensive janë duke u zhvilluar në Gjakovë.

“Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e sipër shënuar.

Njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës në koordinim me Prokurorinë është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy lokacione në Gjakovë” ka bërë të ditur policia./Indeksonline/