Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar sot se është konfirmuar një rast me variantin afrikan të COVID-19 në Kosovë.
Gazeta Sinjali mëson se e infektuara e parë me këtë variant në vend është një grua 35-vjeçare.
Infektologu Sali Ahmeti tha për Gazetën Sinjali se e infektuara është duke u trajtuar në Klinikën Infektive dhe se gjendja shëndetësore e saj është stabile.
“Gjendje e saj është relativisht stabile. Ne po marrim procedurat e trajtimit dhe kujdesit intensive të saj dhe po bëjmë krejt përpjekjet tona që ajo të ketë një shërim sa më të shpejtë dhe sa më të mirë. Pacienti është i lindur në vitin 1986, është kosovar”, tha Ahmeti.
Infektologu bëri të ditur se pacientja është përballur më parë me disa probleme shëndetësore, të cilat i ka tejkaluar tashmë.
“Jo. në të vërtetë ka pas probleme shëndetësore të mëhershme, por kanë qenë probleme shëndetësore të sanume, tash e ka edhe COVID-in, ne po presim që të mbijetojë edhe këtë”, tha ai.
Ndërkaq, IKShPK ka apeluar për kujdes dhe ka njoftuar se masat për parandalimin e infektimit nga ky virus janë të njëjta si ato për COVD-19.
“Masat parandaluese janë të njëjta. Personat të cilët rezultojnë pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do të mundësohet ndërprerja e përhapjes së infeksionit”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.