Shkaku kryesor i humbjes së shikimit me kalimin e vjetëve është degjenerimi makular i lidhur me moshën, ndryshe i njohur me shkurtesën AMD. Por, sëmundja është e shmangshme dhe një studim i fundit i publikuar në revistën “Nutrients” sugjeron se manaferrat e njohura me emrin Goji, mund të jenë një mjet i fuqishëm parandalues.
Besohet se përmirësimi i shëndetit të syve vjen nga dy përbërës, luteina dhe zeaksantina, të cilat gjenden në sasi të larta tek manaferrat Goji dhe shquhen për shërimin e sëmundjeve të syve që lidhen me AMD-në.
Këto dy përbërës janë si krem kundër diellit për sytë tuaj. Sa më e lartë të jetë sasia në retinë, aq më shumë mbrojtje keni. Kjo është e rëndësishme për degjenerimin makular në fazën e hershme, por është gjithashtu e dobishme edhe për ata me sy të shëndetshëm sepse filtron dritën e dëmshme blu dhe siguron mbrojtje antioksiduese.
Një nga përfitimet e manaferrave të thata Goji është se nevojitet një sasi shumë e vogël për të bërë ndryshim të madh, dhe komponentët e tyre janë gjithashtu shumë të disponueshëm. Kjo do të thotë se ato zakonisht absorbohen mirë në sistemin tretës, në mënyrë që trupi t’i përdorë ato.
Nëse nuk keni burime të besueshme të manaferrave Goji në vendin ku jetoni, ose thjesht nuk ju pëlqen shija e tyre, lajm i mire është se të njëjtat veti të dobishme për sytë mund t’i merrni edhe nga ushqime të tjera.
Luteina dhe zeaksantina zakonisht kombinohen në disa ushqime, dhe burimet më të mira janë të verdhat e vezëve, misri, specat portokalli, spinaqi, kungulli i njomë dhe disa lloje kungujsh.
Pavarësisht se çfarë zgjidhni, është e rëndësishme të përqendroheni në mbrojtjen e syve tuaj ndërsa plakeni, me konsumimin e ushqimit të mirë dhe të shëndetshëm.