Kjo është arsyeja e shkarkimit të Basri Ibrahimit nga pozita e kryeshefit Ekzekutiv të Trepçës (Dokument)

Bordi i Përkohshëm Mbikëqyrës i Drejtorëve në kombinatin “Trepça” ka shkarkuar kryeshefin ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje, Basri Ibrahimi.

Sipas vendimit të këtij Bordi të cilin e ka siguruar Telegrafi, thuhet se ky vendim është marrë në bazë të analizës së punës së deritanishme në këtë ndërmarrje publike.

“Në bazë të analizës së punës së deritanishme të KE, duke u mbështetur në kërkesat e punëtorëve, Bordi i Përkohshëm Mbikëqyrës i Drejtorëve në mënyrë unanime mori vendim të Shkarkohet nga detyra e Kryeshefit Ekzekutiv të “TREPÇA” sha, z.Basri Ibrahimi”, thuhet në vendim.

Ndërkaq, tashmë ish-kryeshefi ekzekutiv i “Trepçës”, Basri Ibrahimi ka thënë për Telegrafin, se ky vendim është joligjor dhe është vendim i marrë nga një bord politik.

“Është e vërtet që në kuadër të fshesës së VV-së, më erdhi radha edhe mua që të shkarkohem nga një bord politikë dhe udhëzime politike nga ministrja Rozeta Hajdari”, ka konfirmuar Ibrahimi.

Sipas Ibrahimit, vendimi për shkarkimin e tij është politik dhe arbitrar.

“Kam vendimin, krejt joligjor, arbitrar e as këshillë juridike, ku në kohën e Albin Kurtit njerëzit që shkarkohen nuk kanë të drejtët të ankohen, sepse nuk jep këshillë juridike”, tha ai.