Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), të enjtën ka apeluar qytetarët që furnizohen me ujë nga fabrika e ujit në liqenin e Badocit, që të mos e përdorin për pije e përgatitje të ushqimit.
Këtë njoftim e kanë bërë, siç janë shprehur ata, pasi sipas rezultateve laboratorike, kanë gjetur prezencë të Manganit, që është metal i ngurtë.
Pas njoftimit të IKSHPK dhe KRU Prishtina, ditën e sotme, autobote të mbushur me ujë, kanë dalë në lagje të ndryshme të Prishtinës, duke ofruar kështu ujë të pijshëm falas për qytetarët, të cilët furnizohen nga liqeni i Badovcit dhe nuk mund t’a përdorin.
Zëdhënësja e KRU Prishtina, Arjeta Mjeku, para mediave është deklaruar se menjëherë pasi kanë vërenjtur se është rritur prezenca e Manganit në ujë, kanë njoftuar qytetarët që të mos konsumojnë këtë ujë.
Mjeku u shpreh se kjo ka ndodhur për arsye të ndryshimit të motit, ku ditën ka temperatura të larta kurse natën janë temperaturat shumë më të ulëta, ose është e mundur që të ketë pasur rrjedhje nga minierat që janë afër
Tutje, zëdhënësja tha se uji pritet që të pastrohet brenda dy apo tre ditëve, dhe se qytetarët nuk duhet të frikësohen pasi nuk kanë konsumuar ujë me Mangan për një kohë të gjatë.
Ndërsa, drejtori i Shoqatës së Ujësjellësve dhe Kanalizimit, Abdullah Dërguti, në një intervistë për Paparacin është shprehur se analizat e bëra në IKSHPK tregojnë më së miri se cili është problemi që është rritur prezenca e Manganit.
Gjatë intervistës, drejtori i SHUKOS, ka thënë se kjo ka mundur të ndodhë për arsye të ndryshme, por që nuk duhet të anashkalohet edhe fakti që ka mundur të ketë rrjedhje nga minierat, dhe se duhet pasur kujdes në pastrimin e gypave.
Poashtu, Dërguti është shprehur se qytetarët nuk duhet të frikësohen, sepse nuk ka ndonjë rrezik përderisa nuk kanë konsumuar ujë të tillë për një kohë të gjatë.
Çfarë është Mangani?
Mangani është një element kimik që gjendet në ujë, e që mund të shkaktojë erë dhe shije të keqe dhe po ashtu shkakton telashe në sistemin e kanalizimit.
Sipas të dhënave publike, Mangani është metal i grupit VIIB të elementeve kimike. Gjendet në tokë në formë të mineralit i përzier me disa okside. Është një prej metëve më të mira okside, posedon karakteristikat baktericide dhe përdoret kundër sëmundjeve të kërpudhave në lëkurë. Mangani është përbërës i shumë enzimave.
Ekspertët rekomandojnë që ky element duhet të merret në sasi prej së paku 1 milligram në ditë. Në sasi më të mëdha, kripërat e manganit janë toksike.
Mangani është një metal i fortë, i argjendtë dhe i brishtë. Është shumë reaktiv, ndizet në ajër, reagon me ujin duke formuar hidroksid.
Ai ka veti të ngjashme me metalet alkaline dhe përdoret gjerësisht si një shtesë për çelikun, duke ulur temperaturën e shkrirjes së tij dhe duke përmirësuar vetitë mekanike.
Nuk gjendet i lirë në natyrë, shpesh gjendet në minerale në kombinim me hekurin.
Mangani është një metal me përdorime të rëndësishme të aliazheve metalike, veçanërisht në çelikun Inox.