Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica, ka shprehur kritika të ashpra ndaj Qeverisë për atë që ajo e quan “përdorim të propagandës për të fshehur realitetin e korrupsionit dhe lirisë së medias në Kosovë.”
Në një video të publikuar në faqen e LDK-së në Facebook, Kica u shpreh se Qeveria po manipulon me të dhënat në mënyrë të qëllimshme për të paraqitur një imazh tërheqës në sytë e publikut dhe komunitetit ndërkombëtar.
“Qeveria po përpiqet të bindë qytetarët me deklarata që nuk qëndrojnë në bazën e fakteve. Pohimet për një ngritje prej 21 pozicioneve në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit nga Transparency International janë të pasakta dhe nuk pasqyrojnë gjendjen aktuale të vendit”, ” deklaroi Kica.
Kica gjithashtu hodhi poshtë pretendimet për një përmirësim në lirinë e medias, duke thënë, “Edhe pse Qeveria pretendon se kemi ngjitur 22 vende në indeksin e lirisë së mediave që publikon ‘Reporterët pa Kufij’, e vërteta është se ne jemi vetëm 5 vende më lartë dhe vetëm me një pikë differencë në skorin tonë.”
Më tej, Kica bëri thirrje për transparencë dhe raportim të saktë të të dhënave, “Kur Qeveria i referohet vlerësimeve si World Justice Project ose Raportit të BE-së, përzgjedhin të flasin për vitin 2022, duke injoruar të dhënat e viti 2023, i cili ka shënuar ngecje në fushat përkatëse.”
Deputetja e LDK-së paralajmëroi që do të vazhdojë të sfidojë narrativin qeveritar dhe të zbulojë faktet reale përpara asaj që ajo e quan “propagandë qeveritare”.
“Ju mund të vazhdoni me manipulim numrash,” paralajmëroi ajo, “por ne jemi këtu për t’ua treguar qytetarëve dhe botës faktet e qarta.”