KFOR-i përmes një kumtese për media ka konfirmuar se disa nga pjesëtarët e personelit janë testuar pozitivë me koronavirus dhe dy punëtorë civilë kanë vdekur.
Koha ka raportuar se dy të vdekurit ishin punëtorë në Bondsteel.
Gjenetalmajori Michele Risi, në këtë kumtesë thekson se janë të përkushtuar për të parandaluar përhapjen e koronvirusit Covid-19.
Në njoftim, thuhet se cilido ushtar i KFOR-it që tregon shenja të infektimit nga COVID-19 apo ka pasur kontakte me dikë të infektuar, vendoset në karantinë.
“Nëse ushtarët e KFOR infektohen, ata trajtohen në hapësirat mjekësore në bazat e KFOR-it dhe futen në karantinë për të zvogëluar ekspozimin, përpara se të evakuohen”, thuhet në kumtesën për media të KFOR-it.
Forca e Kosovës e udhëhequr nga NATO-ja, thotë se po vazhdon në mënyrë të rregullt misionin e saj të mandatuar nga Kombet e Bashkuara për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt si dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur ushtarët e saj, partnerët dhe popullsinë e Kosovës.
“Në javët e fundit, njësitë e KFOR-it kanë kryer patrullime, aktivitete ndërlidhëse dhe monitoruese si dhe kanë mbështetur institucionet dhe komunitetet lokale, përmes dhurimit të pajisjeve mbrojtëse personale dhe dërgimit të ushqimit dhe rrobave për familjet në nevojë, në koordinim me Kryqin e Kuq në Kosovë. Si reagues i parë i sigurisë, KFOR-i i ofron mbrojtje Manastirit të Deçanit, vend i rëndësisë së madhe fetare ortodokse dhe kulturore”, theksohet në njoftim.
KFOR-i, tutje thotë se mbetet vigjilent dhe vazhdon të monitorojë dhe vlerësojë situatën në koordinim të ngushtë me Institucionet në Kosovë dhe Ministrinë e Shëndetësisë në veçanti, si dhe me Organizatat e Sigurisë dhe Komunitetin Ndërkombëtar.
“Kapacitetet e KFOR-it në kryerjen e operacioneve për të kontribuar në sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë nuk janë dobësuar. Ne mbetemi absolutisht të përkushtuar për të ruajtur forcën tonë parandaluese dhe të mbrojtjes, ndërsa ndihmojmë në kufizimin e përhapjes së virusit. Forcat tona mbeten të gatshme dhe puna jonë thelbësore vazhdon, nën mandatin e dhënë nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara te vitit 1999 “, deklaroi gjeneralmajor Michele Risi, Komandant i KFOR-it.
Në aspektin e parandalimit, që nga fillimi i pandemisë COVID-19, KFOR-i thotë se ka zbatuar masa të kujdesshme bazuar në rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetit, me qëllim të lehtësimit të rreziqeve për personelin e saj dhe për të gjitha komunitetet e Kosovës.
“Masat e tilla zbatohen në të gjitha bazat dhe objektet e KFOR-it dhe përfshijnë masa të rrepta higjienike, ekzaminim dhe kontrolle të të gjithë personelit ushtarak, kufizime të përkohshme në aktivitete jo thelbësore. Kontraktuesit lokalë të Kosovës që tregojnë shenja ose kanë një histori ekspozimi nuk lejohen të hyjnë në baza”, thekson njoftimi i KFOR-it për media.