KFOR: Çdo vendim për hapjen e urës mbi Ibër të merret në kuadër të dialogut në Bruksel

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se çdo veprim në lidhje me hapjen e urës mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut në Bruksel.

KFOR-i ka thënë se ky qëndrim i tij ka qenë i qartë, transparent dhe konsistent gjatë gjithë kohës. 

“Qëndrimi ynë për këtë çështje ka qenë i qartë, transparent dhe konsistent gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilin ne e mbështesim plotësisht. Kurrë nuk do të spekulojmë për ndonjë skenar hipotetik”, ka thënë KFOR-i për KOHËN. 

Të pyetur se sa ka ndryshuar prania e këtij misioni te Ura e Ibrit gjatë javëve të fundit, KFOR-i ka thënë se ka prani të përhershme në urë dhe vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth.

“Nuk do të hezitojmë të trajtojmë çdo zhvillim që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, në respekt të plotë të mandatit tonë që buron nga OKB-ja”, thuhet tutje në përgjigjen e KFOR-it.