Këtë vit Kuvendi miratoi vetëm 17 ligje

Instituti Demokratik i Kosovës ka bërë të ditur se në legjislaturën VII-të të Kuvendit të Kosovës viti 2020 është përmbyllur me vetëm 17 ligje të miratuara, në mbi 70 seanca të mbajtura, përfshirë këtu edhe vazhdimet e seancave. 

Në platformën “Vota ime” të KDI-së për monitorimin e punës së Kuvendit, seancat janë karakterizuar me mungesë të theksuar të kuorumit për vendimmarrje në pothuajse secilën seancë. 

Të dhënat statistikore për performancën e Kuvendit përgjatë këtij viti, tregojnë se legjislativi miratoi vetëm 17 projektligje nga 48 sa ishin në procedurë për shqyrtim.

Sipas “Vota ime”, Kuvendi zhvilloi 14 debate parlamentare dhe miratoi gjashtë rezoluta. Legjislatura e shtatë e Kuvendit të Kosovës pritet të jetë më e shkurtra në historinë e parlamentarizmit në vend, pasi së shpejti do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.