Ilir Kapiti, Martin Berishaj, Mehdi Halimi, Dren Doli dhe Xhabir Hamiti janë pesë propozimet për ambasadorë. Emrat e tyre tanimë siç ka mësuar Gazeta Insajderi, ndodhen në zyrën e Presidentes së vendit, Vjosa Osmani.
Pesë emrat janë diskutuar në një mbledhje të shkurt të Komisionit për Punë të Jashtme, e cila u përcjell me zhurmë. Ende nuk dihet se kur do të bëhet dekretimi i tyre për shkak se tash e një kohë presidentja Osmani ndodhet nëpër vizita zyrtare.
Ilir Kapiti është propozuar për ambasador të Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar. Martin Berishaj në shtetin e Kroacisë. Mehdi Halimi në Francë, Dren Doli në Holandë e burime të Insajderit bëjnë me dije se Xhabir Hamiti është propozuar për Emiratet e Bashkuara.
Kapiti shkollimin e ka ndjekur në Universitetin e Zagrebit, Fakulteti Ekonomik nga viti 1989-1994. Më pas, master i Biznesit Ndërkombëtar në London Metropolian. Ai ishte zëvendësministër në Qeverinë Kurti 1. Po ashtu ka qenë edhe kandidat në zgjedhjet e 14 shkurtit për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ku mbante numrin 100 në listë.
Flet rrjedhshëm në gjuhët; shqip, anglisht, serbo-kroacisht dhe njohuri bazike në frëngjisht.
Edhe Martin Berishaj, i cili është profesor në Universitetin e Lubjanës dhe Universitetin e Prishtinës, është përkrahës i hapur i Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ishte pjesëmarrës në fushatën e 14 shkurtit përkrahë Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, teksa bënte thirrje të votohej Lëvizja Vetëvendosje. Aktualisht Berishaj thuhet se është shef i Institutit për Studime Shqiptare. Më parë ka punuar si profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Studimeve Kufitare në nivelin e dytë të kurikulës së Bosnjës. Është hulumtues shkencor.
Ndërkohë, mësohet se i propozuari për diplomat në Francë, Mehdi Halimi ka edhe shtetësi franceze.
Halimi ka mbaruar doktoratën në Paris-Inalco, për gjuhësi. Më parë ka kryer bachelor e master në Universitetin e Prishtinës për gjuhësi dhe letërsinë frënge. Nga viti 2012 është profesor i asocuar në Universitetin e Prishtinës.
I propozuari për shtetin holandez, Dren Doli ka studiuar për Drejtësi në Universitetin e Prishtinës, ndërsa master në Universitetin e Hamburgut për të Drejtën Ndërkombëtare Publike. Në bazë të CV së publikuar, potencohet se ai flet shqip dhe anglisht. Është profesor në Fakultetin Juridik, Universiteti i Prishtinës.
Teksa, Xhabir Hamiti është ligjërues i jashtëm në Fakultetin Filologjik, dega e orientalizmit. Po ashtu është profesor në Fakultetin e Studimeve Islame, në nivelin master. Më parë ka qenë edhe ligjërues i jashtëm edhe për gjuhën arabe në Universitetin e Prishtinës. Flet gjuhët shqip, anglisht, arabisht, gjermanisht dhe atë serbo-kroate. Është autor i një numri librash për çështje teologjike.
Gazeta Insajderi, ka tentuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme se kur do të bëhet emërimi i ambasadorëve të rinj, por të njëjtit nuk kanë dhënë asnjë informacion.
Më 19 maj të këtij viti, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla mori vendim për shkarkimin e 12 ambasadorëve të emëruar politik, kthimi i të cilëve tha se do të bëhet më 30 gusht, e që sipas saj do të bëhet dërgimi i diplomatëve të rinj. Tani jemi thuajse në fund të muajit shtator dhe në 12 shtete Kosova ka mbetur pa përfaqësim. Nuk ka diçka konkrete. Përveç raportimeve në media.
Procedurat për emërimin e ambasadorëve të rinj parashohin që ministrja e Jashtme të dërgojë për miratim në qeveri propozimet të cilat pastaj i përcjellën Kuvendit të Kosovës, komisioni për Punë të Jashtme e bënë intervistimin dhe përgatit raportin për secilin prej tyre, të cilin më pas e dërgon në Presidencë.
Ndërsa emërimi i ambasadorëve bëhet me dekretin e presidentit të vendit
Qeveria Kurti synon që 70% e ambasadorëve të jenë të karrierës dhe 30% politikë. Derisa tani nuk ka diçka konkrete. Nuk dihet se si do të veprohet në aspektin e diplomacisë. /Insajderi.org/