Katër konsujt që ka shkarkuar ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, të mërkurën janë Flakron Shala (Pragë), Blendi Kilaj (Lubjanë), Lindon Kqira (Shkup) dhe Halim Krasniqi (Tiranë), siç ka mësuar klankosova.tv.
Vendimi për shfuqizimin e katër dekretëve u bë në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese si dhe bazuar në praktikat diplomatike e konsullore, tha Presidenca.
Përveç Flakron Shalës që është djali i deputetit të AAK-së Haxhi Shala, edhe babai i Blendi Kilajt, Isni Kilaj, është zyrtar i PDK-së, i ciliishte zëvendësministër i Diasporës.
“Sa i përket tri rasteve të para, bazuar në praktikën diplomatike e konsullore, konsullatat e përgjithshme, si rregull, nuk hapen dhe konsujt e përgjithshëm nuk emërohen në të njëjtin qytet ku ndodhet edhe Ambasada. Për më tepër, bazuar në informatat që na janë dërguar, për këta konsuj të përgjithshëm nuk kishte ekzekuaturë/pëlqim nga shteti pritës. Ndërkaq, sa i përket rastit të katërt, atij të konsullit në Tiranë, u.d. Presidentja Osmani ka vendosur ta shfuqizojë dekretin për emërimin e konsullit të përgjithshëm, në përputhje me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, propozim ky i cili nuk ishte marrë për bazë nga Presidenti paraprak”, ka thënë Presidenca.
Si udhëheqëse e politikës së jashtme, Osmani ka thënë se është e përkushtuar që të mbrojë ligjshmërinë dhe profesionalizmin përgjatë emërimeve në shërbimin e jashtëm. Ajo gjithashtu ka thënë se do të vazhdojë të insistojë, që të mos tejkalohet kuota e emërimeve politike, e paraparë me Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, dhe që emërimet të bëhen nga radhët e diplomatëve të karrierës.