Kryeministri i Republikës, Avdullah Hoti me vete në Shtëpinë e Bardhë, në takimin me palën serbe, do t’i marrë edhe dy Zëvendëskryeministra, tre ministra dhe Koordinatorin e Dialogut Skender Hysenin. Me ekipin e Kosovës në Washington udhëton edhe Shefja e Kabinetit të Kryeministrit, Ardita Dushi.
Dy njerëzit e Ramush Haradinajt në Qeveri, Selim Selimi dhe Meliza Haradinaj-Stublla, do të jenë pjesë e delegacionit të Kosovë të kryesuar nga Kryeministri Avdullah Hoti e që udhëton për në Washington të hënën në mëngjes, shkruan Gazeta Express.
Pos Ministrit të Drejtësisë dhe Ministres së Jashtme në Shtëpinë e Bardhë shkojnë edhe Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, Koordinatori për dialog, Skender Hyseni.
Në vendin më të fuqishëm në botë shkojnë edhe Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj dhe Shefja e Kabinetit të Kryeministrit Hoti, Ardita Dushi.
NISMA për Kosovën përfaqësohet në dialog me Zëvendëskryeministren Albulena Balaj-Halimaj.
Fillimisht, takimi Kosovë-Serbi në Washington ishte caktuar për 2 shtator por u shty për dy ditë pasi duhej përshtatur agjendës së Presidentit Donald Trump, i cili mund të bëhet pjesë e takimit nëse palët arrijnë ndonjë marrëveshje.
Sidoqoftë, disa prej temave që pritet të diskutohen atje kanë lidhje me ekonominë. Pritet të shtyhen projekte që kanë të bëjnë me autostradën për Serbi, hekurudhën për Shqipëri, gazin përmes Greqisë dhe projekte tjera që do të përkrahen nga SHBA’ja. Pjesë e një marrëveshje të mundshme mund të jetë edhe krijimi i një zone ekonomike amerikane ndërmjet dy vendeve.
Takimi i parë i paraparë më 27 qershor pati dështuar pasi u propozuar aktakuza ndaj njërit prej njerëzve kryesor të delegacionit të Kosovë që ishin nisur drejt Washingtonit. Tash, Presidenti Hashim Thaçi nuk është përfshirë fare ne proces dhe po pret se çka po vendoset në Hagë ku është selia e Gjykatës Speciale.
Opozita në Kosovë është e ndarë sa i përket dialogut. PDK e ka përkrahur takimin e Washingtonit por nuk ka marrë pjesë derisa Vetëvendosje ka kundërshtuar një udhëtim të tillë të udhëheqësve të Kosovës me arsyetimin se atje shkojnë njerëzit pa legjitimitet qytetar.
Ish-Kryeministri Albin Kurti ishte rrëzuar nga pozita e shefit të Qeverisë edhe për shkak se kishte refuzuar të shkonte në Amerikë për një marrëveshje me Serbinë. Kishte thënë se atje po qëndrojnë thikat mbi hartën e Kosovës, duke paralajmëruar se Kosova mund të ndahet nga një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë.
Kosova dhe Serbia dialogojnë prej shkurtit të vitit 1999 kur nis Konferenca e Ramubujes, e cila prodhon marrëveshjen por që pala serbe nuk e kishte nënshkruar. Është zhvilluar edhe një raund bisedimesh në Vjenë, ku propozohet Pakoja e Ahtisaarit, e cila prapë s’pranohet nga Serbia ndërsa Kosovës i sjell Pavarësinë.
Procesi i tretë dialogues Kosovë-Serbi nis më 2011 në Bruksel dhe prodhon dhjetëra marrëveshje, shumica e të cilave nuk zbatohen.
Tash, pos në Bruksel, dialogu është zhvendosur edhe në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, ka thënë se nëse i kërkohet njohja atëherë nuk do të takohet me Donald Trumpin.