Kështu duket nga brenda Gjykata Speciale

Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Angela Griep, ka shpjeguar hapësirat e kësaj gjykate dhe funksionin e tyre.

Para kamerës, ajo ka shpjeguar se pse askund në objekt nuk ka një simbol të shtetit të Kosovës.

“Ne i kemi vetëm flamujt tanë. Dhomat e Specializuara të Kosovës, siç e dini, operojnë me sistemin juridik të Kosovës, por korniza ligjore e tyre e mundëson që të operojnë në mënyrë të pavarur nga institucionet e Kosovës dhe gjithashtu nga çfarëdo aktori i jashtëm. Pra ne këtu nuk kemi flamur të shtetit të Kosovës”, është shprehur Griep.

“Gjithashtu na pyesin shpesh, sepse besoj se ka një ligj në Kosovë, i cili parasheh që disa institucione të caktuara duhet t’i kenë simbolet e Kosovës, pra për Dhomat e Specializuara të Kosovës, kur Kuvendi e ka aprovuar Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, në atë ligj thuhet që për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ligji i Kosovës aplikohet vetëm kur përmendet në mënyrë specifike në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ligji për simbolet nuk është pjesë e saj”, ka thënë ajo në Rubikon.

Kur është pyetur se nëse duan që të bëhen neutralë, ajo është përgjigjur: “Neutral në kuptimin që jemi të pavarur dhe natyrisht që punojmë në bazë të ligjit të aplikuar për Dhomat e Specializuara të Kosovës”.