Këshilltari i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, Ihor Zhovkva, ka thënë se Ukraina mund ta përballojë ofensivën ruse në Lindje nëse do ta marrë armatimin e duhur.
Zhovkva ka thënë se Rusia ka nisur bombardimet e rënda të hënën në atë pjesë dhe se trupat ruse e kanë nisur ofensivën ashtu siç e kanë planifikuar, raportoi BBC-ja.
“Është shumë e rëndësishme që forcat ukrainase të kenë armatim të rëndë, duke përfshirë sisteme artilerie, tanke dhe automjete të blinduara”, ka thënë Zhovkva.
Sipas tij, nëse Ukraina i ka këto armë, do të jetë në gjendje t’i rezistojë ofensivës ruse dhe të regjistrojë fitore në rajonin lindor.
Zhovkva ka thënë se dërgesat e armëve nga Perëndimi “po përmirësohen” dhe se grupi i fundit i ndihmës ushtarake prej 800 milionë dollarësh nga SHBA-ja përfshin artikujt që u duhen vërtetë.
Sipas tij, Donbasi, ku po zhvillohet ofensiva e fundit, është simbolikisht shumë i rëndësishëm për Moskën, pasi pikërisht aty Rusia filloi “agresionin e saj kundër Ukrainës” në vitin 2014, duke pushtuar pjesë të rajonit dhe duke krijuar të ashtuquajturat shtete atje.