Këshilltari politik i presidentit Hashim Thaçi, Adil Behramaj, e ka goditur ashpër kryeministrin Albin Kurti, i cili sot mungoi në takimet e Thaçit me liderët.
Behramaj ia ka kujtuar Kurtit edhe protestën një ditë para shpalljes së pavarësisë, kur u kishte bërë thirrje qytetarëve që të flinin më 17 shkurt, duke u thënë që asgjë e jashtëzakonshme nuk do të ndodhte.
“Gjithmonë ishte një i munguar Albin Kurti, jo vetëm sot. Ai mungoi në Rambuje, atëherë kur të gjithë liderët u bashkuan. Mungoi edhe në Vjenë, në kohën kur uniteti politik ishte jetik për Kosovën. Mungoi edhe në Ditën e Shpalljes së Pavarësisë. Protestoi dhe u bëri thirrje qytetarëve që të flinin, sepse, sipas tij, asgjë e jashtëzakonshme nuk do të ndodhte më 17 shkurt 2008. Ai zgjodhi rrugën, protestat dhe dhunën për t’i kundërshtuar të gjithë ata që guxuan t’u prinin proceseve dhe ta bënin Kosovën shtet. Tash kur procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po bartet në Uashington, ai sërish po fshihet. Po fshihet pas Joseph Borellit, që na e solli “njohjen” e Spanjës dhe Mirosllav Lajçakut, që na e solli “njohjen” e Sllovakisë. Me dialogun e lehtësuar nga këta, po dëshiron të na e sjellë edhe njohjen e Serbisë. Aty ku është Albin Kurti ka gjithmonë përçarje. Aty ku nuk është ka gjithmonë bashkim!”, ka shkruar Behramaj.