Hapja e zyrave të reja të KESCO-s ka bërë bashkë krerët e sistemit elektroenergjetik të mërkurën në ambientet e Elektrokosovës.
Kryetari i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, Këshilltari i ministres së Ekonomisë, z. Milot Kelmendi, Kryeshefi Ekzekutiv i KEDS-it, Alpin Dogan, Kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut, Bekir Gërguri, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT-it, Evetar Zeqiri, i janë bashkangjitur KESCO-s për prerjen e shiritit, që simbolizon nisjen e punës së zyrave moderne të kompanisë që furnizon qytetarët e Kosovës me energji elektrike.
“Hapja e këtyre zyrave është përmbushje e misionit të KESCO-s që të ndërtojë partneritet të qëndrueshëm me konsumatorët. Ato shtrihen në një hapësirë shumë më të madhe sesa ato paraprake, janë më moderne dhe krijojnë parakushte për efikasitet shumë më të lartë. Përmes investimeve të tilla, ne po krijojmë një eksperiencë më të këndshme dhe më të lehtë për qytetarët, një përvojë që shkon, thjesht, përtej pagesës ose mbështetjes administrative”, tha Rudina Heroi Puka, Drejtoreshë për Përkujdes ndaj Konsumatorëve në KESCO.
Zyrat e reja të kompanisë janë në katin përdhes të zyrave qendrore dhe ofrojnë qasje për të gjithë. Në këto zyra do të kryhen shërbime të ndryshme, duke filluar nga kërkesat dhe ankesat e ndryshme, udhëzimet në lidhje me to, përditësimi i të dhënave të konsumatorëve, çështjet që kanë të bëjnë me aplikacionin eKesco nga i cili mund të kryhet një gamë e gjerë e shërbimeve elektronike të furnizimit me energji elektrike e shumë shërbime të tjera.
Për të ofruar privatësi, zyrat e reja janë ndarë në shërbimin për konsumatorë të amvisërisë dhe ata komercialë. Pra, bizneset do të trajtohen në zyra të veçanta, çka shkurton kohën e trajtimit të secilës kërkesë për shërbim që ato kanë dhe ofron privatësi në trajtimin e tyre.
Aty është edhe sporteli modern për pagesa të energjisë elektrike. Risi në këtë rast është që pagesat mund t’i kryejnë qytetarët nga e gjithë Kosova e jo vetëm ata të Distriktit të Prishtinës.
KESCO, si Furnizues i Shërbimit Universal, në vazhdimësi është duke i zgjeruar, modernizuar dhe avancuar shërbimet e veta. Rritja e kapaciteteve të kësaj pike nuk është e vetmja që kompania e ka bërë sivjet. Gjatë verës është hapur pika e KESCO-s në Aeroportin e Prishtinës, “Adem Jashari”, që kryen të gjitha shërbimet e lartcekura për konsumatorë, ndërsa disa ditë më parë është hapur edhe arka e re në Fushë-Kosovë, e cila është mjaft moderne, gjithashtu. Këto zyra moderne janë më shumë se thjesht një investim në infrastrukturë. Ato përfaqësojnë angazhimin tonë për të ndërtuar një përvojë të re dhe të përmirësuar për çdo qytetar që vjen te ne për mbështetje.