Në përmbyllje të vizitës në SHBA, Komandanti i FSK-së Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, i ka vizituar stërvitjet e Batalionit 133 të Këmbësorisë të Gardës Kombëtare të Iowas dhe Regjimentit të Parë të Këmbësorisë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në njoftimin e lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes thuhet se përveç fushave tjera, kësaj radhe fokus ishte stërvitja dhe gjuajtja me mortaja nga ushtarakët e të dyja forcave.
“Gjatë operacioneve në këtë stërvitje, ushtarakët tanë dhe partnerët u trajnuan edhe në manovrimin me autoblinda në fushëbetejë dhe gjuajtje me mitralierë 12.7mm. Gjeneral Jashari pa nga afër edhe gjuajtjet me mortaja të cilat janë pjesë organike e njësive të këmbësorisë dhe ofrojnë fuqi të zjarrit indirekt kundrejt caqeve të armikut”.
“Ushtarakët tanë treguan profesionalizëm dhe rezultate të larta, për çka edhe u vlerësuan lartë nga partnerët tanë të Gardës Kombëtare të Ajovës. KOMFSK përgëzoi pjesëtarët e FSK-së dhe ata partnerë, për zellin dhe përkushtimin në aftësimin në sisteme të zjarrit indirekt”, thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se Forca e Sigurisë së Kosovës së bashku me aleatin e saj strategjik, SHBA-të, do të vazhdojnë të zhvillojnë kapacitete të tilla me synim të rritjes së gatishmërisë për reagim në çdo situatë që mund të ballafaqohen.