KEK-u e ka anuluar dhe ka kthyer në rivlerësim konkursin për të cilin u bë shumë zhurmë dhe u ngritën shumë dyshime se përmes tij u punësuan shumë familjarë të personave të partisë në pushtet.
Në njoftim thuhet se kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka marrë këtë vendim pas rekomandimeve të komisionit të pavarur për vlerësimin e procesit të rekrutimit.
Sipas vendimit të gjithë kandidatët që i plotësojnë kriteret e parapara me konkurs do t’i nënshtrohen testim me shkrim dhe intervistës me gojë.
KEK-u thotë se kishte përcjellë të gjitha pretendimet publike rreth shkeljeve në procesin e rekrutimit për plotësimin e 127 pozitave të lira. Për këtë proces ishin ankuar rreth 230 persona.
“Korporata Energjetike e Kosovës menjëherë pas përfundimit të procedurave të rekrutimit sipas shpalljes publike për plotësimin e 150 pozitave të lira, ku kishin aplikuar mbi 5 (pesë) mijë kandidat, dhe ishin publikuar rezultatet përzgjedhjes për 127 pozita, kishte njoftuar opinionin se është duke përcjell me shumë kujdes të gjitha pretendimet publike rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit duke siguruar se për këtë çështje do të formohet komisioni i pavarur i cili do ti shqyrtojë me shumë kujdes të gjitha pretendimet”.
“Për më tepër, KEK kishte inkurajuar çdo kandidat që konsideron se i janë shkelur të drejtat e garantuara me dispozita ligjore, të parashtroj ankesë brenda afatit ligjor, me ç’rast ishin pranuar rreth 230 ankesa të cilat janë trajtuar me shumë kujdes nga komisioni i pavarur”.
:Përtej kësaj, komisioni kishte trajtuar edhe tërë procesin e rekrutimit duke filluar nga selektimi, testimi me shkrim dhe testimi me gojë, duke përfshirë edhe pretendimet publike. Bazuar në të gjeturat, komisioni i pavarur ka dhënë rekomandim për anulimin selektimit, rezultateve të testit me shkrim dhe intervistave me gojë për të gjitha 127 pozitat e shpallura me konkurs, bazuar në të cilin është marrë edhe vendimi i Kryeshefit Ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës”, thuhet në njoftim.
KEK-u njofton se të gjithë kandidatët e selektuar në fazën e parë do të njoftohen individualisht dhe të njëjtit nuk do të kenë nevojë për riaplikim në konkurs.