KEDS ka filluar me intensitet të lartë implementimin e projekteve investive në kryeqytet. Mbi 800 punëtorët e angazhuar në këto projekte janë duke zhvilluar punimet anekënd Prishtinës. Në Bregun e Diellit, sikurse në lagjen Qafa dhe Pejton është duke u bërë rehabilitimi i rrjetit energjetik. Vetëm në Bregun e Diellit përfshihen 30 transformatorë, prej nga do të marrin shërbime shumë më kualitative mbi 4500 konsumatorë të kësaj lagje. Për më tepër, ata do të kenë edhe linja alternative të furnizimit, që nënkupton se në rast të ndonjë defekti apo intervenimi në rrjet, furnizimi i tyre do të kalojë menjëherë në linjën tjetër.
Përmes këtyre investimeve, Bregut të Diellit sikurse edhe shume lagjeve të Prishtinës, po i bëhet zgjidhje afatgjate në rrjetin e energjisë elektrike.
Këto projekte investive po bëhen në kuadër të mega projektit të KEDS për Prishtinën ku po investohen 17 milionë euro, që përfshijnë 90 për qind të rrjetit të tensionit të mesëm prej nga do të përfitojnë mbi 90 mijë konsumatorë. Pos linjave alternative, do të dyfishohen edhe kapacitetet e linjave nga 10 kV në 20 kV, të cilat do të eliminojnë mbingarkesat. Të njëjtën kohë do të eliminohen shtyllat, pasi pjesa dërrmuese e rrjetit do të vendoset nën tokë përmes kanaleve kabllovike.
Gjatë zëvendësimit të transformatorëve, siç po bëhet sot në një pjesë të Bregut të Diellit do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike për konsumatorët që janë në daljen përkatëse, pasi nuk mund të punohet nën tension. KEDS po bën maksimumin që ato ndalesa të jenë sa më të rralla. Por, procesi i zëvendësimit merr kohë gjatë gjithë ditës.