Kapacitetet e rrjetit distributiv do të dyfishohen, përderisa pjesa më e madhe e qytetarëve të Prishtinës do të kenë furnizim alternativ. Pra, kur ndodh ndonjë prishje, ata brenda sekondave do të kalojnë në linjën tjetër. Ky investim do ta zgjidhë problemin energjetik të Prishtinës për 30 vitet e ardhshme.
Drejtori Ekzekutiv i KEDS-it, Alper Erbas, së bashku me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, kanë inspektuar të mërkurën punimet masive që po bën KEDS në qytetin e Prishtinës.
Këto janë pjesë e megaprojektit që po implementon KEDS, që përfshin renovimin e rrjetit elektrik për tërë kryeqytetin.
“Komplet rrjeti i tensionit të mesëm dhe mbi 70 për qind të tensionit të ulët, deri vitin e ardhshëm do të vendoset nën tokë. Pas përfundimit të punimeve, 90 mijë nga 120 mijë konsumatorët e Prishtinës do të kenë furnizim alternativ”, tha Erbas.
Ai njoftoi se të njëjtën kohë do të dyfishohen kapacitetet distributive përmes zëvendësimit të të gjitha kabllove, të cilat do të jenë të reja dhe me kapacitet 20 kV nga 10 kV sa janë tani.
“Investimet shkojnë në mbi 16 milionë euro. Pas përfundimit të këtyre investimeve ju siguroj që rrjeti elektrik në kryeqytet do të jetë modern dhe kompatibil me rrjetet më të avancuara evropiane. Prishtina nuk do të ketë nevojë më fare për investime në rrjetin elektrik distributiv për 30 vitet e ardhshme. Realizimi i këtyre projekteve nuk do të ishte i mundur pa bashkëpunimin e ngushtë të Komunës së Prishtinës, për çka e falënderoj kryetarin Ahmeti për gatishmërinë”, shtoi Erbas.
Këto investime i ka mirëpritur edhe kryetari Shpend Ahmeti.
“Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me KEDS-in. E falënderoj kompaninë dhe z. Erbas që intervenojnë dhe i përgjigjen kërkesave tona në vazhdimësi. Ky investim më gëzon pamasë, pasi do të përfitojnë direkt mbi 100 mijë konsumatorë të Prishtinës”, tha z. Ahmeti.
Ai i është gëzuar edhe faktit që tashmë rrjeti do të vendoset nën tokë. “Kjo e ndryshon edhe pamjen e kryeqytetit për të mirë. Të njëjtën kohë futja e kabllove nën tokë e rrit edhe sigurinë për banorët e kryeqytetit, sikurse edhe standardin e tyre”, tha z. Ahmeti.
Këto investime janë jetësim i përkushtimit të KEDS-it që të jetë sa më afër qytetarëve të Kosovës dhe të përmirësojë në vazhdimësi shërbimet për ta.
Sot, 7 vjet pas, KEDS ka investuar rreth 150 milionë euro dhe qindra mijë konsumatorë kanë shërbime dukshëm më kualitative dhe jetë më të mirë. Krahas investimeve në Prishtinë, investime janë duke u realizuar edhe në pjesë tjera të Kosovës.
KEDS mbetet i përkushtuar që kjo të vazhdojë tutje deri në modernizimin e komplet rrjetit distributiv.