KEDS ka angazhuar dhjetëra ekipe në Rugovë të Pejës për të sanuar prishjet që janë shkaktuar si pasojë e kushteve atmosferike ditëve të fundit atje. Tashmë, një pjesë të konsumatorëve veçse u është kthyer furnizimi me energji elektrike derisa ekipet janë duke bërë përpjekje maksimale për të rikthyer furnizimin edhe konsumatorëve tjerë në kohën më të shpejtë të mundshme. Mirëpo reshjet e shiut dhe bora kanë vështirësuar tej mase procesin e punës duke bërë që terreni të jetë i pakalueshëm.
Duke marrë parasysh rrethanat e krijuara, KEDS ka kërkuar ndihmë edhe nga FSK-ja për t’u çasur deri tek zonat ku kanë ndodhur prishjet. Si pasojë e këtyre kushteve, deri më tash janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në rrjetin energjetik të asaj ane.