KEDS mundëson nisjen e punës në Qendrën ku do të trajtohen të infektuarit më koronavirus në Ferizaj

KEDS në kuadër të bashkëpunimit dhe mbështetjes së vazhdueshme që ofron për komunat e Kosovës, së fundmi ka përkrahur Komunën e Ferizajt për një projekt mjaft të rëndësishëm për banorët e këtij qyteti. Bëhet fjalë për funksionalizimin e objektit të ri të Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik në Ferizaj. Në këtë qendër do të trajtohen edhe pacientët e infektuar me koronavirus. Puna e kësaj qendra llogaritet të jetë shumë e rëndësishme pasi dihet që Ferizaj është komuna më e prekur në Kosovë nga kjo pandemi.

KEDS ka ofruar lidhjen falas në rrjetin elektrik të këtij objekti, ku investimi përfshiu krahas kyçjes edhe shtrirjen e rrjetit të ri dhe vendosjen e shtyllave. Për ta jetësuar këtë, ekipet e KEDS-it me makineritë përcjellëse punuan parreshtur të martën në terren dhe arritën t’i kryejnë punët brenda ditës.

Kryetari i Komunës së Ferizajit, Agim Aliu shprehi mirënjohjen dhe falenderimin e tij për KEDS. “Funksionalizimi i QRSHP-së në Ferizaj do t’i shërbejë jo vetëm Ferizajt, por gjithë regjionit tonë”, tha Aliu.

Ndërkaq, Drejtori i KEDS, Alper Erbas tha se përkrahja e projekteve të tilla në kohë pandemie, është e rëndësisë së veçantë jo vetëm për Komunën por edhe për vet banorët.

“Mbështetja jonë ofruar komunave ka qenë e vazhdueshme dhe mjaft frytdhënëse. Kemi përkrahur me dhjetëra projekte investive ndërsa sot, jemi të lumtur që mund të ndihmojmë në funksionalizimin e plotë të objektit të ri të Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik në Ferizaj. Padyshim, se funksionalizimi i kësaj Qendre, do të jetë ndihmesë e madhe në marrjen e shërbimeve mjekësore, në këtë kohë pandemie, jo vetëm për banorët e këtij qyteti por edhe më gjerë”, shtoi Erbas.