KEDS Academy 11 hap dyert e aplikimit për nxënësit dhe studentët e rinj

KEDS Academy është një nga programet më unike sa i përket arsimimit dhe punësimit në fushën e energjetikës në Kosovë. Sot, zyrtarisht po hapen dyert e aplikimit për studentët dhe nxënësit e rinj, që do ta kenë fatin të jenë pjesë e gjeneratës së 11-të të këtij programi.

Në bashkëpunim të ngushtë me Universitetin e Prishtinës, KEDS Academy ofron trajnime dhe praktikë të avancuar për studentët e universiteteve publike. Po ashtu, programi është në koordinim me MASHT dhe Shkollat Profesionale dhe ofron 150 orë praktikë profesionale për nxënësit e shkollave të mesme.

Të drejtë aplikimi kanë të gjithë studentët e universiteteve Publike të Republikës së Kosovës që janë duke i ndjekur ligjëratat e vitit të tretë të studimeve dhe të vitit të fundit akademik nga: Fakulteti Inxhinieri Elektrike dhe Kompjuterike, Ndërtimtari, Shkenca Matematikore, Juridik, Inxhinieri Mekanike dhe nga ai Ekonomik, si dhe nxënësit e vitit të fundit të Shkollave të Mesme Profesionale, drejtimi Elektroteknikë.

Pas fazës së intervistimit dhe testit me shkrim, ata që kanë arritur rezultate të mira do të përzgjidhen të jenë pjesë e këtij programi ku, përpos anës teorike, do të kenë mundësi ta zhvillojnë edhe pjesën praktike në departamente të ndryshme në kompani, dhe të njohin nga afër punën që zhvillohet në terren.

Ky program unik i 11-ti me radhë, po shërben si një nga mundësitë më të mira për përgatitje profesionale, por edhe integrim më të lehtë në tregun e punës, që nga viti 2013. Dhjetë gjenerata para kësaj, janë dëshmi e suksesit të programit.

Aplikimi ka filluar sot më datë 24 tetor dhe do të jetë i hapur deri më datën 10 nëntor 2023.

Ne inkurajojmë secilin/ën student/e dhe nxënës/e, që i plotësojnë kriteret e cekura në formën e aplikimit të shfrytëzojë këtë mundësi dhe të aplikojë në këtë program.