Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka publikuar disa të dhëna sa i përket gjendjes me koronavirus në Kosovë.
Sipas tij, deri më tash kategoria më e infektuar janë grupmoshat 20-29 vjeç dhe 30-39 vjeç.
Hoti ka thënë se ka më shumë të infektuar meshkuj sesa femra, nga ta 54 për qind meshkuj dhe 46 për qind femra.
Hoti ka shtuar se deri më 8 prill 2020 për SARS-Cov-2 në Kosovë janë testuar 2570 persona.
“Pozitiv kanë rezultuar 224 raste (35 prej tyre nga komunat në veri të Kosovës: Mitrovicës, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok). Të vdekur janë gjashtë persona, të shëruar 37 ndërkaq raste aktive 181”, ka shkruar ai.
Përmes njoftimit bëhet e ditur se shkalla e vdekshmërisë është 2.6 për qind.
Hoti thotë se deri më tani, të kontaktuar dhe nën mbikëqyrje janë 3882 raste.
“Kategoria që ka pasur më së shumti nevojë për trajtim spitalor janë grupmosha mbi 70 vjeçare. Meshkujt janë më shumë të prekur se sa femrat: 54% kundrejt 46%. Komuna më e prekur: Malisheva me 66 raste. Në tre ditët e fundit ka pasur tendencë të një rritjeje më të theksuar të rasteve pozitive. Me këto shifra, Kosova është brenda skenarit të mesëm epidemiologjik për Covid-19”, ka shkruar ai.