Kastrati pasi fitoi rastin ndaj Ministrisë: Nagavci të japë dorëheqje


Ish-kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka thënë se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, duhet të japë dorëheqje pasi që Gjykata Kushtetuese vendosi se kjo ministri nuk kishte pasur të drejtë me vendimin për ndërprerje të reformës në arsim, të nisur nga Kastrati.

“Gjykata Kushtetuese sot e konfirmoi përmes aktgjykimit parashtresën tonë: Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e ka shkelur kushtetutën për ta luftuar reformën në arsim. Ekipi i reformës bashkë me juristët e RZZ LAW me përkushtim e profesionalizëm kanë argumentuar shkeljen flagrante të kompetencave komunale nga niveli qendror. Vendimi që u vërtetua kundërkushtetues ka prodhuar pasoja. Ai ka ndërsyer njerëz kundër reformës. Ministrja Nagavci nuk mund t’ia hedhë kësaj pune kaq thjesht. Ajo ka penguar një reformë për arsye elektorale, duke shkelur kushtetutën. Tash duhet përgjegjësi. Jo më pak se dorëheqje”, ka shkruar ai në Facebook të premten, pasi Kushtetuesja publikoi vendimin.

Kushtetuesja të premten hodhi poshtë vendimin që e kishte marrë Ministria e Arsimit për organizim të mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktim të organizimit të mësimit në objektet shkollore të Kamenicës. Gjykata ka theksuar se MASHTI me këtë vendim ka tejkaluar kompetencat dhe ka cenuar përgjegjësitë komunale.

Rasti ndërlidhej me riorganizimin e shkollave në Komunën e Kamenicës më 2019, që ishte iniciuar përmes vendimet të kryetarit të komunës (Qendron Kastrati) me arsyetimin e rënies së numrit të nxënësve në disa shkolla dhe mungesës së infrastrukturës së mirëfilltë të institucioneve arsimore. Por, me pakënaqësinë e disa prindërve të nxënësve të afektuar që refuzuan zbatimin e vendimeve të komunës, më 2021 MASHTI formoi një komision për vlerësimin e mosvijueshmërisë së mësimit nga ana e 441 nxënësve, ku kishte rekomanduar që për të adresuar situatën, MASHTI dhe Komuna duhet: (i) ndërmarrin veprime të harmonizuara; dhe (ii) të themelojnë grup punues për analizimin e situatës në shkolla.

Megjithatë, MASHTI, nxjerri Vendimin e kontestuar, bazuar në të cilin organizoi “mësimin alternativ të përshpejtuar për 441 nxënësit e Komunës së Kamenicës”. Vendimin e kontestoi Komuna e Kamenicës duke pretenduar se ministria kishte ndërhyrë në kompetencat vetanake të komunës.

Gjykata më pas, më 8 prill 2022, doli me vlerësim prej disa pikash prej të cilave thuhej se organizimi dhe kompetencat e njësive të vetëqeverisjes lokale rregullohen me ligj, se komunat kanë kompetenca vetanake dhe se rishikimi administrativ i akteve të komunave nga autoritetet qendrore në fushën e kompetencave të tyre, kufizohet në sigurimin e përputhjes me Kushtetutën dhe ligjin.

Në vazhdim, Gjykata theksoi nenin 17 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale sipas të cilit komunat kanë kompetenca “të plota dhe ekskluzive” në ofrimin e arsimit publik, përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve edukative, punësimin, etj.

Ministria e Arsimit deri në momentin e publikimit të artikullit ka qëndruar e heshtur për vendimin e Kushtetueses.