“Sunny Hill Festival 2022” do të mbahet më 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022. Në këtë festival pritet të ketë një shumëllojshmëri aktivitetesh me artistë me renome botërore. Për të na informuar më shumë për të, i ftuar në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë” në Radio Televizionin e Kosovës ishte Alban Kastrati, përfaqësues i festivalit.
Kastrati tha se pritjet janë që festival Sunny Hill kësaj here do t’i thyejë rekordet e veta pasi rikthehet këtë vit pas dy vjetësh pauzë.
“Kemi filluar punën intensive dhe tash jemi gati, skenat janë gati, biletat pothuajse janë shitur të gjitha. Ka një numër të vogël dhe po presim që ky edicion do t’i thyejë rekordet e veta dhe do të një edicion goxha i madh dhe interesant për Prishtinën”, tha ai.
Ai bëri me dije se në çdo natë të këtij festival ka emra të mirë dhe se çdo natë do të përformojë një yll ndërkombëtar.
“Njerëzit në Sunny Hill Festival do të vijnë prej 50 shteteve të botës. Në çdo natë ka emra shumë të mirë vendorë, edhe artistë të rinj që kanë nevojë të dalin në një skenë të madhe para një publiku të madh në numër. Në natën e parë e kemi Duan, pastaj J&Balvin, Skeptan, Diplon”, shtoi ai.