Kosova pritet të përfitojë 210 milionë euro nga marrëveshja me Mbretërinë e Danimarkës, për lëshimin me qira të 300 qelive për të burgosur, raporton Express.
Arritjen e një marrëveshje të tillë e ka konfirmuar vetë Ministria e Drejtësisë.
Siç njofton MD’ja, të dënuarit të cilët do të tranferohen në këtë institucion nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë.
“Ministria e Drejtësisë zotohet për lirimin e një institucioni korrektues me kapacitet për treqind të dënuar, të cilët do të sjellën nga Mbretëria e Danimarkës. Të dënuarit të cilët do të tranferohen në këtë institucion nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë. Si kompensim për këtë, Republika e Kosovës përfiton 210 milionë euro, të cilat do të dedikohen edhe në investime kapitale, në veçanti për energjinë e ripërtrishme”, thuhet në njoftim.
Kjo marrëveshje parashihet të gjejë zbatim të plotë në periudhë dhjetë vjeçare, derisa nënshkrimi i letër-qëllimit pritet të bëhet të hënën.
“Nënshkrimi i letër-qëllimit, shprehja e vullnetit, mes të dy palëve, do të arrihet ditën e hënë, gjegjësisht, më 20 dhjetor të këtij viti pas vizitës së ministrave danez në Republikën e Kosovës. Marrëveshja parashihet të gjejë zbatim të plotë në periudhë dhjetë vjeçare”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Ministri i Drejtësisë së Danimarkës, Nick Haekkerup, ka deklaruar se kjo është duke u bërë me qëllim që të zgjerohen kapacitetet e burgjeve të Danimarkës, raporton Nyhyeder.
“Kemi mungesë të mbi një mijë vendeve në Shërbimin Danez të Burgjeve dhe të Paraburgimit deri më 2025. Jam i lumtur të them se me marrëveshjen e arritur bashkërisht po e trajtojmë këtë çështje”.
“Ne mes të gjerave të tjera, jemi pajtuar se puna duhet të përfundojë për huazimin e qelive në Kosovë për t’i deportuar të burgosurit nga vendet e treta. Ne jemi duke i zgjeruar burgjet daneze për periudha afatshkurta dhe afatgjata”.
Njoftimi i plotë i MD’së:
Republika e Kosovës përfiton nga partneriteti afagjatë me Mbretërinë e Danimarkës
Ministria e Drejtësisë njofton se janë pajtuar për një marrëveshje me institucionet e Mbretërisë së Danimarkës, respektivisht Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Bashkëpunimit Zhvillimor për lirimin e një institucioni korrektues me kapacitet për treqind të dënuar.
Ministria e Drejtësisë zotohet për lirimin e një institucioni korrektues me kapacitet për treqind të dënuar, të cilët do të sjellën nga Mbretëria e Danimarkës. Të dënuarit të cilët do të tranferohen në këtë institucion nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë. Si kompensim për këtë, Republika e Kosovës përfiton 210 milionë euro, të cilat do të dedikohen edhe në investime kapitale, në veçanti për energjinë e ripërtrishme.
Nga ky kompenzim do të përfitojnë në masë të madhe edhe institucionet e drejtësisë, po ashtu edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës, ndaj të cilit do të ndikojë në ngritjen e cilësisë dhe infrastrukturës së përgjithshme të këtij shërbimi. Theksojmë që institucionet daneze i kanë vlerësuar pozitivisht trajtimin e të denuarëve në Kosovë dhe kapacitetet tona në këtë drejtim. Kjo është mundësi drejt një bashkëpunimi të afërt mes dy shteteve tona, duke thelluar partneritetin strategjik mes nesh.
Nënshkrimi i letër-qëllimit, shprehja e vullnetit, mes të dy palëve, do të arrihet ditën e hënë, gjegjësisht, më 20 dhjetor të këtij viti pas vizitës së ministrave danez në Republikën e Kosovës. Marrëveshja parashihet të gjejë zbatim të plotë në periudhë dhjetë vjeçare.