Gjykata e Apelit ka konfirmuar gjatë së martës vendimin e Gjykatës Themelore që të dyshuarit për spiunazh, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, të lihen në paraburgim. Në dosjen e përgatitur të Prokurorisë për ta, precizohet se Shabani dhe Qerimi kanë udhëtuar shpesh në Serbi dhe se kanë pasur kontakte me zyrtarë të ndryshëm të inteligjencës serbe (BIA).
Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë dosjen e Prokurorisë, në të cilën tregohet se dy të pandehurit në vazhdimësi kanë ndryshuar numrat e telefonit dhe pajisjet telefonike sa herë që kanë telefonuar persona që dyshohet të kenë qenë zyrtarë të BIA’s.
“Të pandehurit, posaçërisht i pandehuri Bëdri Shabani, dyshohet së gjatë kryerjes së veprës penale gjatë gjithë kohës ka ndryshuar numrat ë telefonit dhe pajisjet telefonike, ku i ka njoftuar edhe bashkëbiseduesit e tij se po i ndërron numrat e telefonit dhe po i asgjëson ata më qëllimin e vetëm për t’i ikur hetimit, ku nga kjo shihet qartë së ekziston një rrezik potencial që i njëjti ta përsërisë veprën penale. Po ashtu edhe i akuzuari Muharrem Qerimi të cilët dyshohen se kanë të njëjtat kontakte të komunikimit më agjencinë “BIA””, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Kjo është përmendur si rrethanë për mbajtjen e të dyshuarve në paraburgim, teksa gjykata thotë se ndërlidhësi i ‘BIA’-s nuk ka arritur të arrestohet dhe të dyshuarit mund të vazhdojnë kontaktet me ta.
Në dosjen e Prokurorisë tutje shtohet se komunikimi me zyrtarin e ‘BIA’-s, ku konfirmohen edhe përgjimet e publikuara në media disa ditë më parë për një bisedë të Shabanit se si “gjërat po shkojnë ngadalë” dhe se s’po vepron si duhet.
“…ku në një rast të komunikimit, ky i dyshuar i thotë këtij zyrtari të “BIA” se shumë ngadalë po shkojnë gjërat dhe se nuk po veprojnë ashtu si duhet “BIA” teksa ky ua ka dërguar informatat sa kohë”.
Dosja e Prokurorisë tutje konfirmon se Shabani kishte udhëtuar më herëtpër në Serbi për ta takuar zyrtarin e “BIA”-s.
Në anën tjetër, për Muharrem Qerimin thuhet se gjatë vëzhgimit ka kontaktuar persona që dyshohet t’i ketë shfrytëzuar për sigurimin e informacioneve të caktuara për shpiunazh.
Prokuroria thotë se Qerimi dhe Shabani kanë pasur udhëtime të shpeshta në Serbi, Sarajevë dhe Maqedoni, vizita këto për të cilat dyshon se janë shfrytëzuar me qëllim të shpiunazhit.
Gjykata Themelore thotë se provat dëshmojnë se përveç komunikimit, dy të dyshuarit iu ofronin zyrtarëve të shërbimit të ‘BIA”-s edhe materiale e dokumente “me qëllim të ofrimit të informacioneve e organizimit të veprimeve kundër sigurisë së shtetit”.
“Këto masa kanë sjellë deri tek provat të cilat dëshmojnë dyshimin e komunikimit të të pandehurve me zyrtarë të shërbimit të “BIA”, ku përpos komunikimit iu kanë ofruar edhe materiale e dokumente me qëllim të ofrimit të informacioneve e organizimit te veprimeve kundër sigurisë së shtetit“.
Insajderi raportoi se vesh se Bedri Shabani ka qenë nën masën e përgjimit dhe vëzhgimit që nga tetori 2023 ndërsa zgjerimi hetimeve ku është përfshire Muharrem Qerimi ka ndodhur dy muaj më vonë.
Ndaj Muharrem Qerimit dhe Bedri Shabanit, të dyshuar për spiunazh, iu është caktuar masa paraburgimit.
Shabani më herët ka qenë ish-zyrtar në Doganën e Kosovës. Nga ky institucion kanë bërë të ditur se e kanë suspenduar atë për shkak të veprimeve të dyshimta të tij. /Insajderi.org/