Kandidati për kryetar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se sondazhet nëpër studio televizive ndikuan në rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë.
Krasniqi kishte thënë para zgjedhjeve se ata që i kanë bërë sondazhet “do të bëhen horë”, duke aluduar se parashikimet e tyre do të jenë gabim.
Ai tani ka sqaruar deklaratën e tij.
“Dëgjoni. Opinioni publik u ndikua nga studiot televizive. Ai nuk ishte rezultati deri në atë kohë. Kishte shumë votues të papërcaktuar. VV i mori mbi 50% sepse votuesit e papërcaktuar u bënë me fituesin. Kjo ndikoi në rezultatin e zgjedhjeve”, tha ai.
VV mori 50.28% në zgjedhjet e fundit, ndërkohë që PDK dhe LDK morën rezultatin më të keq në histori. LDK mbajti zgjedhjet e brendshme pas përfundimit të zgjedhjeve dhe kryetar i ri u zgjodh Lumir Abdixhiku.
Ndërkohë, PDK edhe ashtu u fut pa kryetar në zgjedhjet e fundit, por vetëm me ushtrues detyre të kryetarit. Tani, më 3 korrik do të mbahet Konventa Zgjedhore për t’u zgjedhur kryetari i ri.