Bayern Munchen e ka deklasuar me rezultat 4-0, Atletico Madridin duke marrë kështu një fitore tepër të madhe në ndeshjen e parë në Ligën e Kampionëve në kuadër të Grupit A. Me herët në këtë grup Salzburg-Lomotiva e Moskës ndanë pikët pasi që ndeshja përfundoi me rezultat 2-2
Bayern Munchen e ka nisur në mënyrën më të mirë Ligën e Kampionëve duke e mposhtur konkurrentin kryesor në grup, Atletico Madridin.
Bayern e nisi shumë më mirë këtë ndeshje pasi që në fillim të saj fillojë me sulmet e pareshtura në drejtim të portës së Oblak.
Megjithatë, goli i parë erdhi pas një aksioni dhe asistimi perfekt të Kimmich për Coman që shënoi në minutën e 28-të.
Bayern do ta dyfishonte epërsinë në minutën e 41-të me anë të Leon Goretzkas, me të cilin rezultat përfundoi edhe pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, Bayern u gjend në presion të Atleticos por kjo zgjati pak minuta pasi që një projektil i Tolissos në minutën e 66-të kaloi Bayernin në epërsi prej 3-0.
Coman do të shënonte edhe golin e dytë personal në këtë ndeshje në minutën e 72-të, kësaj radhe i asistuar nga Muller.
Atletico tentonte që të bënte diçka në këtë lojë dhe sulmonte por në anën tjetër Bayern tregohej i rrezikshëm me kundërsulme.
Pas kësaj fitore, Bayern vazhdon ecurinë pa humbje në garën më të madhe të futbollit në botë duke prirë në Grupin A me tri pikë, i pasuar nga Lokomotiva e Moskës me 1 pikë, Salzburg me 1 pikë dhe krejt në fund Atletico me 0 pikë.