Numri i të infektuarve me koronavirus në gjithë botën kaloi të mërkurën 15 milionë.
Të dhënat e Universitetit Johns Hopkins tregojnë se sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi, ka prekur 15,016,440 njerëz.
Prej tyre, mbi 618,000 njerëz kanë humbur jetën, ndërsa mbi 8.5 milionë janë shëruar.
Vendi më i goditur në botë është SHBA-ja, me mbi 3.9 milionë të infektuar dhe me mbi 142,000 viktima.
Pas saj vijnë Brazili dhe India me numër të të infektuarve dhe Brazili dhe Mbretëria e Bashkuar me numër të viktimave.
Këtë javë, Universiteti i Oksfordit ka bërë të ditur se vaksina që ka zhvilluar ai kundër koronavirusit, duket se është e padëmshme dhe se e trajnon sistemin imunitar.
Zyrtarët përgjegjës kanë thënë se testimi në njerëz ka treguar se pas injektimit të vaksinës, në trupat e tyre janë krijuar antitrupa dhe qeliza të bardha të gjakut që mund ta luftojnë koronavirusin.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se hulumtuesit janë duke bërë përparim të mirë në zhvillimin e vaksinës, por ka paralajmëruar se përdorimi i saj i parë nuk mund të pritet deri në fillim të vitit 2021.