Të dhënat lidhur me vlerat shëndetësore të mjaltit dhe kosit janë të panumërta. Mirëpo konsumimi i këtyre dy produkteve së bashku është shembull i bindjes se bashkimi e bën fuqinë.
Njëjtë sikurse kosi, ashtu edhe mjalti përmban përfitime të shumta për shëndetin e njeriut. Dhe se cilat janë ato saktësisht, mund të lexoni në vijim.
Mjalti, përdorimet dhe vlerat
Mjalti ka përdorim të gjerë dhe atë jo vetëm si ëmbëlsues. Përpara shpikjes së antibiotikëve, mjalti përdorej gjerësisht për trajtimin e plagëve apo djegieve të lëkurës. Është përdorur edhe për të zbutur kollën, por edhe si maskë për trajtimin e lëkurës.
Që në lashtësi, mjalti konsiderohej si një ushqim i rëndësishëm për atletët dhe njerëzit që merreshin me aktivitet fizike. Por nga ana tjetër, nënat e dinë se mjalti është i rrezikshëm për fëmijët nën moshën 1-vjeçare, kjo për arsyen se e shkakton botulizmin.
Mjalti përmban njëherësh sasi të vogla proteine, folati, vitamine C dhe vitamina të tjera të rëndësishme. Vlerat më të rëndësishme ushqyese të mjaltit burojnë nga mineralet që ai i përmban.
Të dhënat shkencore lidhur me mjaltin tregojnë se në 28 gramë mjaltë gjendet 14 për qind e dozës së rekomanduar të manganit dhe 8 për qind të hekurit të nevojshme për konsum brenda ditës.
Mangani dhe hekuri janë dy mineralet thelbësore për të cilat trupi ka nevojë, në mënyrë që t’i luftojë sëmundjet dhe të funksionojë më mirë.
Kosi, mënyrat e përdorimit dhe vlerat shëndetësore
Ekspertët kanë bërë të ditur se kosi e përmirëson theksueshëm tretjen. Ata kanë kryer një sërë studimesh për t’i vërtetuar saktësisht përfitimet që ai i gjeneron në sistemin e tretjes.
Shumë studime e kanë provuar ndikimin pozitiv që kosi e ka kundër një sërë problemeve gastrointestinale, konstipacioni dhe inflamacioni i zorrëve.
Vlerat shëndetësore nga kombinimi i kosit dhe mjaltit
Ekspertët nuk e kanë asnjë dyshim se kosi dhe mjalti ofrojnë përfitime të shumta shëndetësore, si kur konsumohen veç e veç ashtu edhe kur kombinohen bashkërisht.
Nëse kosi dhe mjalti konsumohen bashkë, atëherë vlerat ushqimore dhe shëndetësore të këtyre dy produkteve shtohen ndjeshëm. Përmbajtja e lartë e glukozës nga mjalti në kombinim me proteinat e kosit është një zgjedhje optimale për forcën dhe rimëkëmbjen e muskujve.
Kësisoj, mjalti me kosin është një formulë ushqyese e shkëlqyer. Nëse nuk teprohet me këtë bashkim, atëherë mund të nxirren përfitime të shëndetshme me fare pak kalori dhe të sigurohet një ekuilibër i përkryer midis karbohidrateve dhe proteinave.
Duke përzier përmbajtjen ushqimore të mjaltit dhe aminoacidet e kosit, trupi do të sigurojë një ndihmesë të madhe në aspektin e sigurimit të një tretjeje ideale.
Me tretjen, organizmi dhe të gjitha sistemet e tjera do të punojnë mirë së bashku, për të garantuar një shëndet optimal.