Kafeja njihet për vetitë e saj antioksiduese dhe anti-inflamatore, por një studim i ri ka zbuluar se ajo gjithashtu ndihmon në rritjen e baktereve të dobishme në zorrë, ka raportuar AOL.
Studimi i publikuar në Nature Microbiology ka analizuar mostrat e jashtëqitjes nga 22,867 persona për të kuptuar ndikimin e kafesë në mikrobiomën e zorrëve. Pjesëmarrësit u ndanë në tri grupe:
Ata që nuk pinë kafe (më pak se 3 filxhanë në muaj)
Ata që pinë në mënyrë të moderuar (3 filxhanë në muaj deri në 3 në ditë)
Ata që pinë shumë kafe (3 ose më shumë filxhanë në ditë)
Rezultatet kanë treguar se ata që pinin kafe kishin nivel më të lartë të bakterit L. asaccharolyticus, i cili mund të ketë efekte të dobishme për shëndetin e zorrëve.
Pse është i rëndësishëm shëndeti i zorrëve?
Sipas doktorit Michael Caplan, profesor në Universitetin e Chicagos, “mikrobioma e zorrëve është shumë më e rëndësishme se sa kemi menduar”.
Flora e larmishme bakteriale ndihmon në parandalimin e diarreve që mund të shkaktohen nga antibiotikët dhe udhëtimet, menaxhimin e obezitetit dhe sëmundjeve të zemrës dhe përmirësimin e sistemit imunitar dhe tretjes.
Si e ndihmon kafeja mikrobiomin?
Caplan ka theksuar se jo vetëm kafeina ka ndikim pozitiv, por edhe kafeja pa kafeinë.
Përbërësit kyç janë polifenolet, si acidi klorogjenik dhe ai kinik, të cilët veprojnë si prebiotikë dhe ushqejnë bakteret e dobishme në zorrë.
Bakteri L. asaccharolyticus është identifikuar vetëm pesë vitet e fundit, ndaj nevojiten më shumë studime për të kuptuar përfitimet e tij të plota në sëmundjet kardiovaskulare apo kancerin.
Sa kafe duhet kosnumuar për këto përfitime?
Sipas Caplan, 1-2 filxhanë në ditë janë të mjaftueshme për të stimuluar florën e zorrëve. Kjo përputhet me rekomandimet e FDA-së, e cila sugjeron të konsumohen deri në 400 mg kafeinë në ditë (rreth 4 filxhanë kafe të zakonshme).
Studimi ka treguar se shtimi i qumështit apo sheqerit nuk ndikon në përfitimet e kafesë për mikrobiomën e zorrëve.