Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka dhënë arsyen pse nuk votoi për Avdullah Hotin për Kryeministër dhe koalicionin qeverisës pjesë e së cilës është edhe partia që i përket ajo.
“Kryeministri Avdullah Hoti qëndron në anën e kundërt të besimeve të mia politike. Ai ishte i pari dhe më i zëshmi që insistonte në heqjen e taksës ndaj Serbisë. Në fazën në të cilën ndodhet Kosova, nuk mund të ndjehem rehat kur një shef ekzekutivi drejton dialogun me Serbinë me të tilla qëndrime. Ky dialog ka shumë paqartësi dhe shumë udhëkryqe. Prandaj kërkon një udhëheqje të qëndrueshme dhe parimore”, është shprehur Kadaj-Bujupi.
Ajo tha se është e vetëdijshme që në zgjedhje nuk votohet për kryeministër.
“Pra jo domosdoshmërisht kandidati/ja që ka fituar më shumë vota duhet të jetë domosdoshmërisht kryeministër. Por nuk mund të themi se vota e qytetarëve nuk është fare e rëndësishme. Në këtë rast është anashkaluar një grua e cila u votua për kryeministre dhe u caktua një kandidat tjetër në tavolinë”.
“Prandaj edhe nuk votova për Hotin kryeministër”.
Qeveria Hoti është votuar me 61 vota pro, 24 kundër dhe 1 abstenim.