Juventusi e ka nisur me fitore sezonin e ri 2020/2021 në Serie A duke mposhtur Sampodorian me rezultat 3-0 në Allianz Stadium.
Bianconerët bënë një paraqitje të sigurtë, ndërsa e zhbllokuan rezultatin që në minutën e 13-të. Dejan Kulusevski debutoi me gol.
Anësori suedez me origjinë maqedonase e ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën e tij te Zonja e Vjetër duke realizuar nga një top i kthyer pas një depërtimi të Cristiano Ronaldos dhe goditi me mjeshtëri në portë.
CR7 e goditi shtyllën dhe pati disa raste të tjera në pjesën e parë, e cila u mbyll me një gol epërsi për Bianconerët.
Në minutën e 82-të, nikoqirët e realizuan golin e sigurisë, ndërsa golashënues ishte Leonardo Bonucci, i cili reagoi më së miri para portës.
Dhe në këtë sfidë nuk mund të mungonte goli i superyllit Cristiano Ronaldo, i cili e nisi edhe një sezon tjetër duke shënuar gola (88’).
Juventusi arkëton tri pikët e para në sezonin 2020/2021, në të cilin është në kërkim të titullit të dhjetë radhazi në Serie A.