Drejtori i Juventusit, Cristiano Giuntoli, ka mbyllur dyert për një rikthim të mundshëm në skuadër të mesfushorit Paul Pogba.
Pogba, i cili është nën kontratë deri në verën e vitit 2026, ka leje që të rikthehet për Juventusin në mars të vitit 2025, pasi dënimi i tij është reduktuar nga katër vjet në 18 muaj, teksa së fundmi ai pranoi se do të ishte i lumtur të pranonte një zbritje të pagës për të luajtur sërish për ‘Zonjën e Vjetër’.
Fatkeqësisht për Pogban, Giuntoli ka konfirmuar se nuk do të ketë rikthim në skuadër pasi Juventusi ka vendosur të lëviz në një drejtim tjetër.
“Pozicioni jonë është i qartë. Pogba ka qenë një lojtar i madh, ai ka qenë jashtë për një kohë të gjatë dhe vitin e kaluar ne u detyruam të investojmë në lojtarë të tjerë, kështu që skuadra është e kompletuar ashtu siç është”, ka thënë Giuntoli.
Pogba dhe Juventus pritet që të diskutojnë ndërprerjen e kontratës për ish-reprezentuesin francez, me të dy palët që tani kanë pranuar se një fillim i ri është lëvizja e vetme e mundshme.
Raportimet kanë sugjeruar se Pogba mund të bashkohet me Roberto De Zerbin tek Marseille në rast se mbetet lojtar i lirë, teksa një kalim në MLS tek Los Angeles FC është sugjeruar po ashtu në media.