Jostabiliteti politik po e dëmton Kosovën në dialog

Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, prandaj vazhdimi të dialogut me Serbinë është vënë në pikëpyetje së paku për një kohë. Zyrtarët nga Bashkimi Evropian kanë thënë se janë në pritje të aktgjykimit të plotë nga Kushtetuesja për fatin e qeverisë Hoti.

Ende mungon një datë për rifillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por situata është komplikuar edhe më tej pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në një përgjigje për RTV Dukagjinin, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë se janë në pritje të vendimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese.

Ndërsa njohësi i zhvillimeve politike, Visar Xhambazi ka thënë se qeveria aktuale nuk ka më legjitimitet për të vazhduar dialogun.

“Kjo qeveri nuk mund të vazhdojë dialogun pasi nuk ka më legjitimitet. Duhet që vendi të shkojë në zgjedhje pas vendimit të Kushtetueses dhe të krijohet një qeveri e re që do të përfaqësojë sovranitetin e popullit sikurse përfaqësohet edhe me kushtetutë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Visar Xhambazi.

Sipas Xhambazit ndryshimi i shpeshtë i qeverive, Kosovës po i shkakton probleme në dialog.

“Mungesa e një mandati katërvjeçar mund t’i shkaktojë Kosovës implikime serioze pasi ndryshimi i shpeshtë i qeverive në periudha të shkurtra kohore po shkakton mos koordinim të institucioneve të vendit”.

Ndër të tjera nga Bashkimi Evropian kanë thënë se në këtë fazë është i rëndësishëm miratimi i buxhetit të vitit 2021.