Jep dorëheqje drejtori i televizionit publik

Festim Kabashi ka njoftuar të enjten se ka dorëzuar kërkesën për lirim nga detyra si drejtor i televizionit publik në vend. Në një shkrim në Facebook, ai ka thënë se këtë e ka bërë për shkak “të presionit” të Bordit ndaj drejtorit të përgjithshëm të RTK-së për ta larguar nga puna, për shkak të një gjetjeje në raportin e Auditimit, edhe pse Kabashi thotë se ajo s’lidhet me punën e tij.

“Njoftim për dorëheqje! Një e gjetur e ZKA-së, që s’lidhet aspak me punën time profesionale, (e shndërruar në kauzë fiktive nga elementë të caktuar), ka muaj që po shfrytëzohet nga Bordi si mjet presioni ndaj drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, për të gjetur zgjidhje për të më larguar nga pozita e drejtorit të Televizionit. Duke parë se një situatë e tillë po pamundëson shtyrjen përpara të projekteve, e si rrjedhojë po reflekton në shumë aspekte në funksionimin e RTK-së, ju njoftoj se i kam dorëzuar drejtorit të përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj, kërkesën për lirim nga detyra, pasi me asnjë çmim nuk mund të lejoj që integriteti im profesional e njerëzor të nëpërkëmbet”, ka shkruar Kabashi në një shkrim në Facebook.

Kabashi e ka cilësuar të domosdoshëm vendimin e tij për t’u hapur rrugë proceseve për përzgjedhjen e kryeredaktorëve të RTK 1 dhe RTK 3.

Ai ka thënë se vendimi i tij “nuk nënkupton dorëzim, por refuzim për të bashkëjetuar në të njëjtin mes, ku dominon prirja për ta shkelur dinjitetin e tjetrit, në këmbim që t’u bëhet strehë personave të caktuar në udhëheqje të RTK-së”.