Jashari: SBASHK-u mbështet kthimin e pjesshëm të nxënësve në shkolla, shqetësuese shkurtimi i buxhetit për arsimin

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jashari, në një prononcim për Telegrafin ka bërë të ditur se kanë filluar komunikimin me të gjitha nivelet lidhur me përgatitjet për fillimin e vitit shkollor.

Jashari theksoi se në javën që vjen do të kenë takime tjera virtuale për të parë gjendjen dhe pasur një vlerësim rreth përgatitjeve që po bëhen.

Jashari theksoi se SBASHK-u përkrah idenë e Qeverisë së Kosovës për kthim të pjesshëm të nxënësve në bankat shkollore, gjegjësisht për klasat e para, të dyta, gjashta dhe dhjeta.

Ai tha se klasat e para është e nevojshme të jenë në bankat shkollore meqenëse është hera e parë që nisin mësimin, klasat e dyta për t’i përmirësuar lëshimet eventuale gjatë klasës së parë, duke ditur se në njërin gjysmë vjetor mësimi ishte në distancë.

Sipas tij, edhe klasat e gjashta dhe të dhjeta duhet të jenë në bankat shkollore.

“Do t’i analizojmë të tri versione për nisjen e vitit shkollor dhe do të vendosim se cila është më e duhura”, tha Jashari.

Kryetari i SBASHK-ut tha se janë për kthimin e pjesshëm në shkolla, por siç tha ai nuk do të lejojnë që mësimdhënësit të ngarkohen më shumë se që duhet.

Jashari tha se nëse niset viti shkollor, por nuk mbahet fjalët dhe nuk ka dezinfektim e pastërti në shkolla atëherë do të thirret Këshilli drejtues i SBASHK-ut dhe do të merren masa.

Ai tha se SBASHK-u nuk do të lejoj që as nxënësit, as mësimdhënësit e as punëtorët teknik të rrezikohen për mungesë buxheti, rrjedhimisht për mungesë të pastërtisë e dezinfektimit të shkollave.

“Ne i kemi bërë vërejtje se Qeveria me rishikimin e buxhetit ka shkurtuar buxhetin… Ky është një gabim sepse pikërisht në kthimin e vitit shkollor duhen mjete shtesë”, tha ai.

Jashari e quajti shqetësuese zvogëlimin e buxhetit për arsimin, pasi sipas tij, në çdo formë do të duhen mjetet, aq më tepër në këtë periudhë pandemie ku duhet të ketë pastrim e dezinfektim të objekteve shkollore.

Ndryshe, ditë më parë me kërkesë të Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, Asociacioni i Komunave të Kosovës ka organizuar një takim virtual me kryetarët e Komunave të Kosovës dhe me drejtorët e Departamenteve Komunale të Arsimit, në të cilin është diskutuar për përgatitjet finale që po i bëjnë institucionet e vendit për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021.

Kryeministri Hoti, me këtë rast, kërkoi nga të gjitha institucionet relevante të arsimit në vend që t’i bëjnë përgatitjet e nevojshme për ta filluar sa më mbarë vitin e ri akademik, por gjithnjë duke i marrë parasysh rekomandimet e ekspertëve të shëndetësisë për luftimin dhe parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID 19.

Ndërsa, ministri i Arsimit, Ramë Likaj theksoi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021. Ai paraqiti tre skenarët e kësaj ministrie për fillimin e vitit të ri shkollor, të cilët janë: A. Rikthimi në ambientet shkollore, B. Mësimi i kombinuar, dhe C. Mësimi nga platformat e ndryshme.

“Në këtë takim, pjesëmarrësit u pajtuan që opsionet e MASH-it të shndërrohen sa më parë në vendime dhe si të tilla t’u dërgohen Departamenteve Komunale të Arsimit, të cilat, varësisht nga kapacitet që kanë, duhet të përcaktohen se cilin opsion do ta zbatojnë në komunën e tyre. Sidoqoftë, mbizotëroi qëndrimi se, sidomos për klasat e ulëta, prioritet t’i jepet mundësisë së pjesëmarrjes fizike të nxënësve në procesin mësimor, nëse këtë e mundësojnë kushtet epidemiologjike”.