Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj po vlerëson se Qeveria ka thyer akullin e barrikadave për dialogim për kërkesat e tyre të kamotshme.
Jasharaj tha për Klankosova.tv se pas takimit që kanë pasur gjatë së martës me ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike Xhelal Sveçla e Arbërie Nagavci kanë marrë zotim se Ligji i Pagave është duke u punuar në mënyrë intensive nga institucionet përgjegjëse.
Ai thotë se kanë marrë zotim se Ligji nuk do të shkojë në Qeveri pa marrë edhe miratimin e sindikatave.
“Është mirë që ndodhi ky takim dhe më në fund besoj që ai akulli i barrikadave të Qeverisë kundër dialogut është thyer dhe uroj të vazhdohet me dialogun. Kemi biseduar për “Ligjin e pagave” dhe e mira e gjithë këtij takimi është se më në fund nga njeriu i parë i kësaj çështje ministri Sveçla jemi informuar se Ligji është duke u punuar, por edhe ekipi i ekspertëve që ai e ka krijuar janë duke punuar në përpjekje për t’i hequr defektet qe i ka cekur Kushtetuesja dhe ministri Sveçla na premtoi që me të hequr këto defekte në pjesën e dytë të këtij ligji do të ftohen edhe sindikatat dhe na premtoi se versioni final nuk do të shkoj në Qeveri për t’u votuar pa u bërë bashkëbiseda dhe angazhimet me sindikatat”.
Rrahman Jasharaj thekson se nëse nuk realizohen kërkesat do të vazhdojnë me veprime sindikale, duke mos përjashtuar grevën e përgjithshme në muajin janar.
“Nesër do ta mbajmë një takim online me kryetar dhe ata që do ta thonë fjalën e fundit. Problem tjetër na doli sepse masat e reja po kufizojnë numrin e pjesëmarrësve qoftë edhe në ambiente të hapura dhe kjo e keqëson situatën dhe mbase kryetarët do të mendojnë për një ide tjetër të cilën nuk e dëshirojmë e që është greva”.